Europa “mban frymën”

Fryma e fundit e një sezoni të gjatë dhe të lodhshëm kërkon edhe energjitë e fundit nga skuadrat në garë për titujt prestigjiozë në disa prej kampionateve kryesore të kontinentit. Kjo fundjavë dha disa verdikte të pjesshme, por la të hapur rivalitetin në disa duele të tjera ku beteja do të vazhdojë deri në fund. Vëmendja kryesore e së dielës u përqendrua në Itali, aty ku Napoli kishte mundësi të rikuperonte terren ndaj Juventusit dhe ia doli pjesërisht. Barazimi 1-1 e mban skuadrën e Sarrit në zonën Champions, por më shumë se kaq, ngre disa pikëpyetje për Juventusin që tashmë e ka Romën vetëm 6 pikë larg dhe me një ndeshje për t’u luajtur në “Olimpico”.
Një shkëndijë që mund të rindezë luftën në Serie A ku “Zonja e Vjetër” kërkon suksesin e 6 rresht për të vendosur edhe rekordin historik. Më shumë se barazimi, Allegrin e shqetëson forma e treguar nga bardhezinjtë, të cilët mund të rrezikojnë shumë nëse vazhdojnë me të tilla paraqitje. Roma e Spalletit mbetet aty në vendin e dytë për të përfituar nga një tjetër hap fals që nëse do të ndodhë, atëherë Serie A mund të rikthejë emocionet e titullit në javët e fundit.
E njëjta tablo paraqitet edhe në Spanjë me Realin e Madridit dhe Barcelonën që arrijnë të dalin me 3 pikë nga kjo fundjavë. “Los Blancos” me 2 pikë më shumë dhe një ndeshje më pak se Barcelona duket se e kanë vendosur sezonin në shinat e duhura. Skuadra e Zinedine Zidane kërkon të rikthehet në majën e Spanjës pas 6 viteve shterpësi dhe të tilla fitore si ajo ndaj Alaves janë oksigjen i pastër në përfundim të një sezoni ku energjitë duhen ndarë mes kampionatit dhe Europës. 9 javë mbeten deri në gongun final dhe padyshim që El Clasico i “Bernabeut” do të ndajë pjesën më të madhe të tortës, por deri më 23 prill, nëse situata do të mbetet e pandryshuar, do të jetë shumë e vështirë që skuadra e Luis Enriques t’ia shqepë nga fanella titullin ekipit kryeqytetas që ka nisur ta qëndisë javë pas jave.
Sinjale jete jep edhe Premier League ku humbja e papritur e Chelsea-t në “Stamford Bridge” përballë Crystal Palace është një asist i pastër për Tottenham që mund të shpresojë. 7 pikë diferencë nga “Spursat” për “Blutë” e Londrës që gjithsesi vazhdojnë ta kenë në dorën e tyre fatin edhe pse kalendari deri në fund do të jetë një ferr i vërtetë. Në 9 javët e fundit, Chelsea do të përballet me skuadrat e Manchesterit, ndërsa do të vizitojë edhe Liverpoolin për të sfiduar në “Goodison Park”. Nëse këto tri përballje i kalon pa shkaktuar shumë dëme, atëherë Conte mund të shtojë një tjetër trofe prestigjioz në palmaresin e tij.
E ashpër mbetet beteja edhe në zonën Champions ku gjithsesi Manchester United ka humbur ndjeshëm terren ashtu, si edhe Arsenali. Në Gjermani, Bayerni i Mynihut i ka mbyllur llogaritë me çështjen titull pasi ruajti në 13 diferencën me Leipzig ndjekës, por duket se llogaritë janë të bëra edhe për zonën Champions. Ajo që mbetet për t’u vendosur është zona Europa League me plot 6 skuadra në garë. Këtë sezon, rrezikon të mbetet jashtë Europës Bayer Leverkusen, ndërsa Hamburgu i Mërgim Mavrajt ka gjetur ritmin e duhur duke u larguar përkohësisht nga zona e ftohtë.
E ashpër po zhvillohet beteja në Eredivisie me klasiken holandeze që këtë të dielë foli për Ajaxin. “Harkëtarët” mposhtën 2-1 Feynoordin dhe e shkurtuan në 3 diferencën me skuadrën nga Roterdami që në pjesën e fundit të sezonit po tregon se presioni është armiku kryesor. Në 6 javët e mbetura Feynoord duhet të ruajë pozitat duke mos lënë më pikë rrugës sepse në të kundërt, titulli që mundon në “De Quip” që prej 18 vjetësh, mund të largohet me destinacion Amsterdamin.
Këtë fundjavë, erdhën edhe emocionet nga Portugalia, ku klasikja Benfica-Porto foli për kryeqytetasit që bënë goditjen e madhe. Një fitore shumë e rëndësishme që rikthen në krye “Shqiponjat” e Lisbonës që tashmë bëjnë ligjin në Portugali me 1 pikë më shumë se skuadra nga Porto. Në 7 javët e mbetura, skuadra e trajnerit Rui Vitoria duhet thjesht të menaxhojë situatën për të shtuar në muze trofeun e 36.

Artikulli paraprakArsyet pse po falimentojnë masivisht bizneset e vogla
Artikulli tjetërEnrike: Kampionatet fitohen nga ekipet, jo nga individët