Arrestohet miku i Shullazit, i vuri tritol në makinë biznesmenit

Një 31-vjeçar, i cili dyshohet të jetë autori i vendosjes së tritolit në mjetin e Ndok Rajtas, biznesmenit të një pike inertesh në kryeqytet u arrestua nga policia. I arrestuari është Klajdi Gjeçi, 31 vjeç, banues në Tiranë dhe i dënuar më parë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, ndërsa njihet edhe si miku i Emiljano Shullazit.
Ai dyshohet të jetë autori i shpërthimit në mjetin “Wolswagen” me targa AA 946 EE, në pronësi të shtetasit Ndok Rajta, banues në lagjen “Ali Demi”, që ndodhi rreth orës 9:30 të mëngjesit të datës 30 nëntor, ndërsa flakët e mëdha u shuan me ndërhyrjen e zjarrfikësve.
Copëzat e mjetit janë përhapur në një distancë rreth 70 metra. Në momentin e shpërthimit, makina ka qenë e parkuar pikërisht pranë pikës së grumbullimit të inerteve.
Ndok Rajta tha në polici se nuk kishte asnjë konflikt dhe as ide për autorin e ngjarjes, por Policia e Tiranës ka rënë shpejt në gjurmët e tij. Në lidhje me ngjarjen po heton edhe Prokuroria e Tiranës.
Klajdi Gjeçi nuk është një emër i panjohur për drejtësinë. Ai njihet si miku i Emiljano Shullazit dhe është arrestuar edhe më herët, më maj të 2015-ës për plagosjen e 18-vjeçarit, Mateo Zoga. “Më datën 12.05.2015, rreth orës 15:30, në rrugën “Komuna e Parisit”, për morive të dobëta ka goditur me levë hekuri, duke i shkaktuar dëmtime serioze për shëndetin shtetasit Mateo Zoga, i datëlindjes 1997, lindur dhe banues në Tiranë”, bëjnë me dije burime pranë policisë.
Ai rezulton të jetë arrestuar edhe për armëmbajtje pa leje, një natë pasi persona ende të panjohur vendosën eksploziv në banesën e ish-zv/drejtorit të Policisë së Tiranës, Dorian Muça në 2012-ën.
Gjatë kontrolleve që Policia e Tiranës ushtroi në banesa të ndryshme të personave me precedentë pas kësaj ngjarjeje, në banesën e Klajdi Gjeçit u gjet një pistoletë, për të cilën ai u arrestua.
Ai dyshohet se është i përfshirë, si pjesë e grupit të Shullazit. Kjo pasi Shullazi ishte ndaluar dhe proceduar disa herë nga policia gjatë asaj periudhe. Pavarësisht se në banesën e Gjeçit, policia gjeti një armë zjarri pistoletë, Gjeçi u lirua.
Ndërkohë në datë 15 maj 2015 Gjeçi u akuzua për plagosje të rëndë të Enton Nushajt. Por edhe këtë herë, Gjeçi u la i lirë pasi 4 muaj më vonë i dëmtuari tërhoqi padinë ndaj tij, duke deklaruar se mosmarrëveshjet mes tyre ishin sheshuar.
Edhe në këtë rast, vendimi duket i çuditshëm, pasi rastet e plagosjes apo krimet ndaj jetës nuk ndiqen me heqje dorë por ndiqen kryesisht nga organet e hetimit dhe të procedimit penal.

Artikulli paraprakPallati 5 katësh i sigurtë, rrëshkitja e dherave kërcënim për Gjirokastrën
Artikulli tjetërBora bllokon Dukagjinin dhe Librazhdin