Pallati 5 katësh i sigurtë, rrëshkitja e dherave kërcënim për Gjirokastrën

Pallati 5 katësh dhe banesa private tre katëshe që krijuan panik dhe detyruan evakuimin e 20 familjave janë të sigurtë për t’u banuar. Ky është përfundimi zyrtar i raportit të dytë të ekspertëve të Shërbimit Gjeologjik kombëtar. Për të shmangur rrezikun në të ardhmen, ekspertët rekomandojnë masa të menjëhershme. Por pas qetësimit të situatës në Lagjen “Punëtori”, alarmi është ngritur në Kodrën e Lagjes “Çfakë” dhe zonën poshtë kullës së Sahatit të Kalasë së Gjirokastrës, ku në orët e mëngjesit pati rrëshkitje gurësh e dherash.
Kreshnik Merxhani i angazhuar në projektet për mbrojtjen e qytetit pjesë e trashëgimisë së UNESCO lëshon thirrjen SOS ndërsa thotë se po vërteton parashikimet e një studimi të vitit 2006 që flet për këtë rrezik, ndaj kërkon ndërhyrje. Pak ditë më parë në Gjirokastër u prezantua një nismë për përfshirjen e qytetit mes 7 pasurive të trashëgimisë më të rrezikuara në Europë.
Ndërkohë, dy zyrtarë të Bashkisë Gjirokastër do të mbajnë përgjegjësi ligjore për rrëshkitjen e dherave dhe çarjen e tokës në Lagjen “Punëtori” në qytetin jugor, ku kërcënohet një pallat 5 katësh dhe një shtëpi private.
Prokuroria lokale ka nisur një procedim penal për “shpërdorim detyre” për inxhinierin pranë Bashkisë, Aleksandër Pesha, përgjegjesin e Inspektoriatit Urbanistik Vendor, Vullnet Tola.Ata akuzohen se, nuk kanë mbikëqyrur punimet e nisura në një shtëpi dykatëshe buzë kodrës, çka dyshohet se shkaktoi nisjen e rrëshkitjeve.
Por vetë zyrtarët dhe Bashkia Gjirokastër, e mësuan lajmin përmes medias dhe thanë se nuk ishin në dijeni të procedimit, pavarësisht se më herët ishte bërë e ditur se Prokuroria Gjirokastër kishte nisur një hetim për situatën.

Artikulli paraprakKush janë militantët e PS në krye të hipotekave
Artikulli tjetërArrestohet miku i Shullazit, i vuri tritol në makinë biznesmenit