Gjykata franceze liron Ramush Haradinajn

Gjykata franceze në Colmar ka marrë vendimin që të lirojë ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, mbi të cilin rëndonin akuzat e autoriteteve të Serbisë për, siç thuhej, krime lufte të kryera në periudhën e viteve 1998-1999.
Pas katër muajve, sa është mbajtur në Francë, Gjykata në Colmar, ka refuzuar kërkesën e Serbisë për ekstradimin e Haradinajt në Serbi.
Pas marrjes së vendimit, Haradinaj është paraqitur para gjykatës, ku e kanë pritur disa simpatizantë të tij dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
“Procedura u mbyll, është refuzuar kërkesa e Serbisë. Pres ta marr pasaportën dhe jam i lirë, do të kthehem në Kosovë”, ka thënë Haradinaj.
“Janë humbur katër muaj kohë, nuk është pak, është kohë e çmueshme. Por, ka ndodh ajo që është dasht të ndodhë, e drejta është në anën tonë”, është shprehur Haradinaj.
Lirimin e Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka shënuar me fishekzjarre.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka cilësuar vendimin për “lënien të lirë të Ramush Haradinajt, si lehtësues jo vetëm për Ramush Haradinajn dhe familjen e partinë e tij, por është një vendim lehtësues për gjithë popullin e Kosovës”.
Ndalja e tij në Francë për gati 4 muaj, sipas AAK-së, “ka qenë krejt e panevojshme dhe një përpjekje e hapur e Serbisë, që duke e vënë në lajthitje edhe Francën, ta destabilizojë Kosovën”.
Vendimi për rastin Haradinaj është përshëndetur nga presidenti Hashim Thaçi, i cili e ka cilësuar atë si lajm të mirë për familjen Haradinaj, për bashkëpunëtorët e tij dhe gjithë Kosovën.
“Edhe një herë u vërtetua që shpifjet e shërbimeve serbe kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë të paqëndrueshme dhe nuk përfillen nga bota demokratike”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Edhe qeveria e Kosovës ka lëshuar një komunikatë përmes së cilës e përshëndet vendimin e autoriteteve gjyqësore franceze.
“Duke vlerësuar se fletarrestet serbe mbi bazën e të cilave është ndaluar z. Haradinaj janë të paligjshme dhe të padrejta, qeveria e Kosovës konsideron se vendimi i gjykatës franceze është konfirmim se e drejta është në anën e z. Haradinaj dhe se fletarrestet serbe kundër tij dhe luftëtarëve të tjerë të UÇK-së janë politike dhe kanë synime të ulëta”, thuhet në komunikatën e qeverisë së Kosovës.
“Duke përgëzuar qytetarët e Kosovës për këtë fitore të drejtësisë mbi përpjekjet manipuluese të shtetit serb, qeveria e Kosovës shpreh përkushtimin e saj të mëtejshëm për të bërë çdo përpjekje për të pamundësuar forma të tilla të keqpërdorimit të drejtësisë nga ana e Serbisë, në të ardhmen”, përfundon komunikata.
Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, përmes rrjetit social Facebook, ka uruar zotin Haradinaj për kthimin në vendlindje.
Lirimi i Haradinajt është përshëndetur edhe nga partitë politike në pushtet dhe opozitë.
Lidhja Demokratike e Kosovës e konsideron vendimin e gjykatës franceze si lajm të gëzueshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës.
“Ky vendim, konfirmon se aktakuzat e Serbisë kundër luftëtarëve të UÇK-së janë të pabaza, të padrejta dhe kanë synime manipuluese politike dhe janë tendencë e hapur për zhytjen e rajonit në destabilitet dhe konflikte”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Ndërkaq partia Nisma për Kosovën konsideron se lirimi i Haradinajt është një fitore ndaj akuzave krejt të pabaza dhe të motivuara politikisht, të cilat çdo herë kanë synuar të destabilizojnë Kosovën dhe të barazojnë luftën e UÇK-së me krimet e regjimit të Millosheviçit.
Ish-kryeministri i Kosovës dhe kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës është ndaluar nga policia franceze më 4 janar, në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia përmes Interpolit. Ai akuzohet nga drejtësia e Serbisë për krime lufte.
Ramush Haradinaj qe arrestuar edhe në vitin 2015 në Slloveni, po në bazë të një fletarresti të Serbisë. Ai ishte mbajtur për disa ditë në arrest në Lubjanë dhe më pas ishte liruar.
Haradinaj është gjykuar dy herë në Hagë, nën akuzat për krime lufte në territorin e ish-Jugosllavisë.
Ai pati dhënë dorëheqjen nga posti i kryeministrit të Kosovës, më 8 mars të vitit 2005, vetëm disa muaj pas marrjes së detyrës, për t’u dorëzuar vullnetarisht në Gjykatën e Hagës. Në vitin 2008, ishte shpallur i pafajshëm.
Po ashtu, një proces tjetër ndaj tij ishte iniciuar po në Hagë, por sërish qe shpallur i pafajshëm në vitin 2012, duke u liruar nga të gjitha akuzat që e ngarkonin për krime lufte.

Artikulli paraprakInteresat e bonove “ndalojnë” pas tre muajsh
Artikulli tjetërAplikimet për punë në Gjermani, 150 mijë vende pune deri më 2020