Aliji: Te Kaiserslautern për hapin e madh

Naser Aliji flet për herë të parë si lojtar i Kaiserslauternit. Mbrojtësi kuqezi që gjatë kësaj vere u transferua në Gjermani me skuadrën që militon në Bundesliga 2 dhe shpreson që ky hap i madh në karrierë ta ndihmojë që të rritet edhe më shumë, por të ndihmojë edhe ekipin e tij të ri të rikthehet mes më të mirëve. Aliji është bashkuar me skuadrën për fazën përgatitore pas nënshkrimit të kontratës deri në vitin 2019. Në intervistën për faqen zyrtare të klubit, ai përqendrohet fillimisht te aventura me fanellën e kombëtares shqiptare në Euro 2016. “Ishte si një ëndërr për të gjithë ne, jo vetëm për skuadrën, por për të gjithë popullin shqiptar. Mendoj se fituam shumë eksperiencë, madje edhe unë që nuk u aktivizova”, u shpreh Aliji.
Aliji ka lindur në Shkup në një familje shqiptare që emigroi drejt Zvicrës ku ai nisi karrierën si profesionist dhe ai e pranon se vitet e para në një vend të huaj kanë qenë shumë të vështirë për të. I pyetur për pikat e tij më të forta, ai përgjigjet, duke theksuar se këtë duhet ta gjykojnë të tjerët. Në vijim ai rrëfen se ishte trajneri ai që e bindi të pranonte ofertën e Kaiserslautern. “Ishte telefonata e trajnerit Tayfun Korkut që më bindi të merrja vendimin për t’u transferuar te Kaiserslautern. U kuptuam menjëherë dhe ajo që ai më tha më bëri shumë përshtypje, sepse objektivat e skuadrës përkojnë me synimet e mia”, tha ai.
Aliji flet më tej për pritshmëritë që ka nga vetja e tij. “Unë dua të punoj sa më shumë që të rritem përditë si futbollist. E di shumë mirë se ku mund të arrij. Kaiserslautern është një klub me histori të madhe dhe tashmë dua të bëj një hap të madh përpara në karrierën time me këtë klub”, tha ai.
22-vjeçari shqiptar u rrit në radhët e Baselit ku për tri sezone u bashkua me skuadrën e parë dhe gjatë sezonit të fundit u huazua te Vaduzi. Ai ka qenë pjesë e gjithë ekipeve zinxhir të Zvicrës, por zgjedhja finale ishte fanella e Shqipërisë.

Artikulli paraprakÇmimet e konsumit pësuan rënie në një mesatare prej 0.1%
Artikulli tjetërAtalanta, Gjimshiti titullar në miqësoren e parë