Atalanta, Gjimshiti titullar në miqësoren e parë

Prova titullari për Berat Gjimshitin. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare e nisi që nga minuta e parë ndeshjen miqësore të Atalantas ndaj Valserianas në kompleksin stërvitor malor ku skuadra bergamaske ka nisur punën përgatitore për sezonin e ri. Mbrojtësi shqiptar u rreshtua në linjën mbrojtëse të trajnerit Gasperini për këtë sfidë, ku zhvilloi një ndeshje pozitive, duke treguar se ai do të jetë një nga elementët kyçë të Atalantës në sezonin e gjatë të Serie A. Ashtu si pjesa më e madhe e skuadrës, Gjimshiti u zëvendësua në fillimin e pjesës së dytë për t’i lënë vend kolegut Caldara.
Gjatë minutave të aktivizimit, edhe pse nuk pati shumë punë për të bërë përballë sulmit të kundërshtarëve, Gjimshiti tregoi siguri dhe pjekuri në lojën e tij, duke punuar bashkë me shokët e repartit që rrjeta të mbetej e paprekur. Gjimshiti u transferua te Atalanta gjatë pjesës së dytë të sezonit të shkuar, por ai nuk gjeti hapësira të mëdha nën drejtimin e trajnerit Edy Reja me 3 ndeshje dhe vetëm 103 minuta në total. Gjithsesi, Gasperini planifikon t’i japë më shumë minuta në këmbë 23-vjeçarit që konsiderohet si një nga kolonat e ardhshme të mbrojtjes së Atalantas.

Artikulli paraprakAliji: Te Kaiserslautern për hapin e madh
Artikulli tjetërInter-Mançini, drejt “divorcit”?