Ajeti shumë pranë transferimit te Crotone

Transferimi i Arlind Ajetit nga Torino te Crotone në Serinë A mbetet çështje orësh. Ta paktën kështu sugjerojnë mediat sportive italiane, që u referohen bisedimeve më të fundit mes klubit piemontez dhe atij kalabrez. Palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët dhe shumë shpejt do të zyrtarizohet marrëveshja që e zhvendos mbrojtësin shqiptar nga veriu i Italisë në skajin jugor. Ajeti konsiderohet përforcim shumë i rëndësishëm për Crotonen, skuadër që sezonin e kaluar arriti të mbijetonte mes më të mirave në futbollit italian pikërisht në javën e fundit, falë fitores 3-1 me Lazion, teksa Empoli u mund 2-1 nga Palermo.
Arlind Ajeti mbeti jashtë listës së të preferuarve të Sinisa Mihajloviç për sezonin e ri futbollistik te Torino, ndaj ishte i detyruar të kërkonte një destinacion të ri. Për 23-vjeçarin është interesuar edhe Benevento, si dhe Palermo në Serinë B, por Crotone duket se ka qenë më bindëse në ofertën e saj. Mbetet për t’u parë nëse klubi kalabrez do ta marrë shqiptarin në formë huazimi apo do ta blejë kartonin e tij.
Për Ajetin rikonfirmimi në elitën e futbollit italian mbetet një sfidë për t’u fituar pas një sezoni zhgënjyes te Torino, skuadër me të cilën u aktivizua në vetëm 4 ndeshje të kampionatit, duke shënuar një gol, por edhe autogol në fitoren 5-3 me Pescarën.

Artikulli paraprakSion prezantoi Ermir Lenjanin
Artikulli tjetërSadiku nuk ndalet, shënon edhe në Champions