Aeroporti i Vlorës, Nëse ka sukses, faturën e paguan konsorciumi

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin që i hap rrugën ngritjes së një komisioni të posaçëm për përzgjedhjen me procedurë të veçantë të konsulentit për negociimin dhe lidhjen e kontratës, ndërmjet shtetit shqiptar dhe shoqërive “Çengiz Construction & Kalyon & Kolin Construction”, me objekt projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e Aeroportit të Vlorës”.
Komisioni do të përbëhet nga jo më pak se tre anëtarë, specialistë të fushave përkatëse të autoritetit kontraktor (juristë, ekonomistë dhe inxhinierë).
Ky komision do të kryejë identifikimin e shoqërive konsulente që ofrojnë shërbim në fushën e këshillimit juridiko-financiar e teknik, bazuar edhe në eksperiencat e mëparshme të bashkëpunimit të shtetit shqiptar me këto shoqëri, si dhe në vlerësimet e këtyre konsulentëve në publikime kombëtare dhe ndërkombëtare.

Kriteret që duhen plotësuar
Ftesa për ofertë duhet të përmbajë specifikimin e objektit dhe të llojit të shërbimit të kërkuar, nevojën e kontraktimit të konsulentëve, kriteret e përgjithshme e të veçanta që duhet të plotësohen nga konsulentët dhe datën përfundimtare të pranimit të kërkesës nga të interesuarit dhe:
a) në çdo rast, numri i shoqërive të identifikuara nuk duhet të jetë më i vogël se tre;
b) komisioni fton të gjitha shoqëritë që të paraqesin dokumentacionin për të provuar kapacitetin e tyre për përmbushjen e objektit të kësaj kontrate, brenda një periudhe jo më shumë se 7 ditë nga data e dërgimit të ftesës. Ftesa dhe kriteret e përzgjedhjes duhet të përmbajnë elementët që përcaktohen në këtë vendim;
c) komisioni vlerëson kompanitë që përmbushin kriteret dhe i fton ato për paraqitjen e ofertës teknike dhe financiare;
ç) në përfundim të vlerësimit, komisioni harton një raport përmbledhës për zhvillimin e procedurës dhe ia paraqet për miratim titullarit të autoritetit kontraktor;
d) komisioni vazhdon vlerësimin edhe në rast të paraqitjes së një oferte/operatori ekonomik të vetëm, brenda afatit të fundit të paraqitur në ftesën për ofertë;

dh) në rast kualifikimi të një ose më shumë ofertave, komisioni i lë kohën e nevojshme, por jo më shumë se 10 (dhjetë) ditë pune, ofertuesit/ofertuesve për paraqitjen e ofertës tekniko-financiare.
e) pas paraqitjes së ofertave/ofertës, komisioni, brenda 5 (pesë) ditëve pune, bën vlerësimin përfundimtar dhe harton raportin përfundimtar sipas përcaktimit në shkronjën “ç”, të këtij neni.
Kriteret ligjore, teknike dhe financiare që duhet të plotësojnë ofertuesit/operatorët ekonomikë për pjesëmarrje dhe kualifikim janë, si më poshtë:
a) Të kenë dokumentacionin e regjistrimit në QKB ose një dokument ekuivalent për operatorët e huaj;
b) Të kenë një vetëdeklarim që operatori nuk është në proces falimentimi dhe në ndjekje penale;
c) Të kenë, të paktën, një kontratë për shërbim të ngjashëm, të realizuar brenda tri viteve të fundit. Shërbimi duhet të jetë ofruar dhe realizuar për një investim me vlerë minimale 70 000 000 (shtatëdhjetë milionë) euro;

ç) Të kenë një xhiro vjetore mesatare të tri viteve të fundit jo më pak se 50% të vlerës së investimit;
d) Të kenë një përshkrim të detajuar i metodologjisë që do të përdoret për realizimin e shërbimit të kërkuar të shoqëruar me një grafik të hapave që do të ndërmerren dhe afatet përkatëse.
Ofertat e kualifikuara do të vlerësohen në bazë të çmimit të ofruar. Oferta me çmimin më të ulët do të jetë oferta fituese. Fondi limit është 20 000 000 (njëzet milionë) lekë, pa përfshirë TVSH-në.
Pas miratimit të raportit përmbledhës nga titullari i autoritetit kontraktor, komisioni, brenda 5 (pesë) ditëve, fton operatorin fitues të negociojë kushtet e kontratës. Çmimi si kriter i vlerësimit është kusht i panegociueshëm. Palët duhet të përfundojnë negociimin brenda 7 (shtatë) ditëve. Nëse dështojnë negociatat me operatorin fitues ose nëse ai tërhiqet, komisioni fton për negociim operatorin e radhës, nëse ka. Në rast se nuk mbetet asnjë ofertues në garë, autoriteti kontraktor do të rihapë garën.
Në rast të një procedure të suksesshme për negociimin dhe nënshkrimin e kontratës për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës me shoqëritë “Çengiz Construction & Kalyon & Kolin Construction”, komisioni i negociimit të kontratës do të vendosë si kusht në kontratën e konsulencës edhe detyrimin e këtyre shoqërive për të paguar vlerën përkatëse të paguar nga autoriteti kontraktor për konsulencën e dhënë nga operatori ekonomik fitues.

Artikulli paraprakGjermani, nis me grindje koalicioni i madh
Artikulli tjetërFMN: Futja e biznesit të vogël në TVSH do ulë të ardhurat