Administrata me dhunë në fushatë, kërcënime për largim

PS ka nisur një fushatë agresive, duke përpjekur të mbushë takimet elektorale me punonjës të administratës. Denoncime të përditshme po publikohen në rrjetet sociale nga qytetarë të ndryshëm, të cilët me foto tregojnë se si drejtues të administratës publike bëjnë fushatë në krah të ministrave socialistë. Kjo situatë ka degraduar edhe më tej, me kërcënimet dhe shantazhet e hapura që po u bëhen punonjësve të administratës për të marrë pjesë në takimet elektorale të PS. Janë të përditshme rastet, ku drejtoritë e shkollave apo spitaleve nxjerrin mësuesit, mjekët, infermierët apo gjithë personelin të marrë me detyrim në takimet elektorale, duke mbyllur shkollat e spitalet. Një rast i tillë është denoncuar dje publikisht nga një mjek në qytetin e Rrëshenit. Kryeministri Edi Rama zhvilloi dje në Rrëshen një miting elektoral për zgjedhjet e 25 qershorit. Në këtë takim ishin urdhëruar të merrnin pjesë edhe shumë mjekë nga Spitali i Laçit dhe Rrëshenit. Kështu ka denoncuar një mjek i Laçit para disa orësh në Facebook-un e ish-Kryeministrit Sali Berisha. Ai thotë se i kanë urdhëruar që të marrin pjesë në mitingun e Ramës ndryshe rrezikojnë shkarkimin nga puna. Denoncimi në Facebook i ish-Kryeministrit Sali Berisha: Në takim me detyrim! Ja si Noriega urdhëron administratën e partisë-shtet të shkojë në takimet e tij, pasi populli nuk i shkon! Ai kërcënon punonjësit me pushim nga puna në rast se nuk shkojnë në takim: shkruan Berisha, ndërsa ka publikuar denoncimin e mjekut. “31/05/2017, 11:42:38: Doktor përshëndetje jam mjek nga Laçi sapo më njoftuan që ai prostituta i PS ka një miting në Rrëshen dhe Laç dhe ka urdhëruar gjithë punonjësit e Spitalit të Rrëshenit dhe Laçit të marrin pjesë në miting. Ka dhënë urdhër për t’i pushuar nga puna ata që nuk marrin pjesë në miting. Ju lutem më konfirmo nëse e morët këtë mesazh. Me rrespekt një mik i juaji”, thuhet në denoncimin e mjekut. Drejtorë shkollash, spitalesh e drejtorë në të gjitha institucionet e administratës publike në tërësi kanë lënë detyrat që u ngarkon ligji, duke dalë në fushatë për PS dhe LSI. Rastet e denoncuara vijnë në qytete të ndryshme të vendit, ku shihet qartazi se si funksionarët e administratës kanë braktisur detyrat e tyre, duke shoqëruar ministrat e Ramës dhe krerët e tjerë të strukturave socialiste, për të kërkuar bashkë me ta votat për PS. Sipas ndryshimeve të miratuara pas marrëveshje Basha-Rama, përdorimi i mjeteve publike, veprimtarisë shtetërore apo i burimeve financiare ose njerëzore, për zgjedhje, me ndryshimet e reja në Kodin Penal, do të dënohet vetëm me burgim, nga 1 deri në 4 vjet. Ashpërsim të dënimeve për të gjitha veprat e tjera penale në fushën e zgjedhjeve, duke i parashikuar të gjitha si krime. Gjithashtu, do të forcohen rregullat për të mbikëqyrur financimin e partive dhe ndalimin e financimeve të paligjshme. Të gjitha këto masa dhe ndërhyrje, bëhen për të garantuar qytetarët shqiptarë nga presionet dhe shitblerja e votës dhe garë të ndershme për partitë politike në fushatën zgjedhore. Shitblerja e votës do të dënohet në mënyrë taksative nga 1 deri në 7 vite burg. Nuk do të ketë masa ndëshkimore si gjoba, por vetëm burg për ata që do të tentojnë tjetërsimin e vullnetit të lirë të votuesve shqiptarë. Kjo vepër penale do të jetë e paamnistueshme.

Artikulli paraprakInjoranti që Rama e kandidon për Kavajën: “Populli ka sy në badhë”
Artikulli tjetërRrobaqepës e këpucarë kandidatë për vettingun?