Abuzimi 100 milionë me tenderat, KLSH kallëzon penalisht 8 zyrtarë

Tetë zyrtarë lokalë në Mallakastër janë kallëzuar në Prokurori nga KLSH-ja për shkelje të barazisë në procedurat e prokurimit dhe favorizimin e operatorëve ekonomikë privatë. Konkretisht, 5 anëtarë të Komisionit të Ofertave në Bashkinë Mallakastër dhe 3 anëtarë të komisionit në ish-Komunën Fratar. Kontrolli i Lartë të Shtetit doli në këtë vendim pasi përfundoi auditimin në Bashkinë Mallakastër për vitet 2013- 2015. Njëherësh, i ka rekomanduar Bashkisë Mallakastër masa me karakter organizativ dhe shpërblimin e dëmit të shkaktuar në vlerën totale 48,730,994 lekë.
Gjatë auditimit u konstatuan shkelje dhe parregullsi të dispozitave ligjore në fuqi në fushën e zbatimit të procedurave të prokurimit publik lidhur me kriteret e kualifikimit dhe vlerësimin e ofertave ekonomike në procedurat e prokurimit me objekt: “Sistemimi i rrugëve të brendshme dhe gjelbërimi i blloqeve të banimit në qytetin e Ballshit” (vlera e prokuruar 41,5 milionë lekë dhe “Ndërtim rrjetit shpërndarës i fshatrave të Komunës Fratar”) (vlera e prokuruar 67,7 milionë lekë).
Është konstatuar se në këto procedura operatorët konkurrues kanë paraqitur dokumentacion me mangësi, si operatorët e skualifikuar me të drejtë dhe operatorët e kualifikuar dhe shpallur fitues nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave (KVO).
Në të dy procedurat e prokurimit konstatohet vlerësim fiktiv nga ana e KVO-së, në papajtueshmëri me kërkesat e ligjit, pasi OE nuk plotësojnë kriteret e vendosura nga AK. KVO duke kualifikuar ofertues, të cilët nuk plotësojnë kriteret për kualifikim ka vepruar në kundërshtim me nenet 46, 53 të Ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik” (LPP) dhe Kreu V të VKM nr. 1, datë 10.01.2007 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”. KVO të tria këto procedura duhet t’i kishte skualifikuar dhe në zbatim të neneve 24/ç dhe 47 të LPP duhet t’i kishte kërkuar titullarit të autoritetit kontraktor anulimin dhe përsëritjen e procedurës së prokurimit.
KLSH, duke i konsideruar veprimet e kryera nga R.SH., J.A., E.N., E.I., dhe J.M., (në cilësinë e anëtarëve të KVO në Bashkinë Mallakastër) në procedurën e prokurimit me objekt: “Sistemimi i rrugëve të brendshme dhe gjelbërimi i blloqeve të banimit në qytetin e Ballshit”, dhe K.A., S.D., dhe H.M., (në cilësinë e anëtarëve të KVO në ish-Komuna Fratar) në procedurat e prokurimit me objekt: “Ndërtim rrjetit shpërndarës i fshatrave të Komunës Fratar” apo dhe personave të tjerë, të cilët mund të rezultojnë si përgjegjës gjatë hetimeve, si veprime me pasoja të rënda për interesat e ligjshme të shtetit dhe të dënueshme.

Artikulli paraprakGjykata: Pronat në Zvërnec nuk kanë lidhje me vrasjen e gjyqtarit Konomi
Artikulli tjetërGrabitje në Kamëz, plagoset me automatik një femër