Gjykata: Pronat në Zvërnec nuk kanë lidhje me vrasjen e gjyqtarit Konomi

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka reaguar në lidhje me përfshirjen e emrit të të ndjerit, gjyqtarit Skerdilajd Konomi në hetimin e disa pronave në Zvërnec. Me anë të një deklarate drejtuar mediave, togat e zeza kanë inkurajuar Prokurorinë për zbardhjen e këtij rasti hetimi, ndërsa theksohet se kjo çështje nuk ka lidhje me vrasjen e gjyqtarit Konomi. Më datë 14 qershor, Prokuroria e Vlorës sekuestroi 89 hektarë tokë në zonën e Zvërnecit, me vlerë rreth 110 milionë euro sipas çmimeve zyrtare, e dyshuar se është përfituar në mënyrë të paligjshme nga shtetasi Raimond Mezi.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë bëri të ditur dje nëpërmjet një njoftimi për shtyp se, ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit mediatike, në lidhje me ecurinë e hetimeve të filluara nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, që lidhen me dyshimet e arsyeshme të kryerjes nga ana e personave përgjegjës, të veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, që kanë të bëjnë me titujt e pronësisë mbi sipërfaqe të caktuara toke, të ndodhura në qytetin e Vlorës.
Së pari, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, shpreh dhe rikonfirmon edhe një herë inkurajimin dhe bashkëpunimin më të ngushtë institucional me organin e Prokurorisë, që jo vetëm në rastet e bëra mediatike, por edhe në eventualitetin e evidentimit të rasteve të tjera analoge, për zhvillimin e një hetimi të plotë, profesional, objektiv dhe të gjithanshëm, në respekt të parimeve kushtetuese të shtetit të së drejtës, ushtrimit të ndjekjes penale sipas parimit të ligjshmërisë, si dhe transparencës dhe të drejtës për informim, me qëllim vënien përpara drejtësisë të çdo personi, pavarësisht statusit apo cilësisë së tij.
“Duke marrë shkas nga disa publikime në median e shkruar dhe atë vizive, në lidhje me rastin më të fundit të zbuluar nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, të dyshimeve të arsyeshme të krijuara mbi falsifikimin e titujve të pronësisë mbi një sipërfaqe toke, të ndodhur në zonën e Zvërnecit, ku midis të tjerave, ka rezultuar edhe një vendim gjyqësor i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, i vitit 2003, i dyshuar se është nënshkruar nga ana e kolegut, të ndjerit z. Skerdilajd Konomi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore, në respekt të së drejtës themelore kushtetuese për informimin e publikut, etikës profesionale, si dhe në respekt të normave dhe parimeve të përgjithshme të moralit dhe dinjitetit njerëzor, realizon këtë njoftim për median e shkruar dhe atë vizive, duke sqaruar si më poshtë:
Se prezenca e një vendimi gjyqësor, i dyshuar se, është dhënë nga ana e kolegut, të ndjerit Skerdilajd Konomi, në vitin 2003, periudhë kohore në të cilën i ndjeri Skerdilajd Konomi nuk ka ushtruar funksionin kushtetues të gjyqtarit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, ka ardhur si rezultat i tërësisë së veprimeve hetimore të kryera nga ana e organit të Prokurorisë, në funksion të procedimit penal të nisur si më sipër, për të cilat organi i Prokurorisë ka tagrin kushtetues të ushtrimit të ndjekjes penale dhe vënies përpara përgjegjësisë ligjore të autorit apo autorëve të këtyre veprimeve të kundraligjshme dhe nuk ka asnjë lidhje me vdekjen tragjike të kolegut z. Skerdilajd Konomi, për të cilën, trupa gjyqësore e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, gjen rastin të inkurajojë sërish organet ligjzbatuese, për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të paprecedent në historinë e ekzistencës së shtetit shqiptar. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë kërkon nga media e shkruar dhe ajo e vizive që të ruajnë etikën profesionale dhe vetëpërmbajtjen në raportimin e lajmit, të respektojnë kujtimin e të ndjerit, gjendjen emocionale të rëndë të familjarëve të tij dhe gjithashtu të krijojnë klimën e përshtatshme për zhvillimin dhe mbarëvajtjen e një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm për organet e ndjekjes penale. Gjykata vlerëson se, çdo aludim konspirativ dhe subjektiv mbi vrasjen e të ndjerit dhe aktivitetit penal nën hetim krijon premisat dhe cenon çdo vlerë njerëzore dhe shtetërore të sjellë në vëmendje më lart”, thuhet në reagimin e Gjykatës së Vlorës.

Artikulli paraprakBasha: Rama po sjell përplasjen e pashmangshme me popullin
Artikulli tjetërAbuzimi 100 milionë me tenderat, KLSH kallëzon penalisht 8 zyrtarë