Abrashi në formacionin ideal

Amir Abrashi në “Formacionin më të mirë” të javës në Europë. Mesfushori i kombëtares është përfshirë në 11-shen ideale të ligave më të forta kontinentale nga “France Football”. Kuqeziu qëndron përkrah disa prej emrave më të mëdhenj të futbollit ndërkombëtar. Duke nisur nga ylli i Realit të Madridit, Cristiano Ronaldo dhe për të vazhduar me dyshen e Juventusit, mbrojtësin Bonuçi dhe sulmuesin Gonzalo Higuain.
Amir Abrashi priti plot 12 muaj për të festuar golin e radhës te Freiburg, që ishte edhe rrjeta e parë në Bundesligën gjermane. “Pitbulli” u vlerësua si lojtari më i mirë në fushë, në fitoren 3-1 që skuadra e tij regjistroi përballë Werder Bremen. Fillimisht kuqeziu u përfshi në formacionin ideal të javës së 9-të të Bundesligës, ku përkrah tij ishte edhe kuqeziu i Koln, Mërgim Mavraj, ndërsa tashmë erdhi edhe vlerësimi në rang kontinental. Sipas “France Football” Abrashi bën gjithçka i vetëm për të qenë motori i mesfushës së Freiburgut.
Në “Formacionin më të mirë” të javës në Europë përkrah Abrashit në mesfushë ndodhen edhe nigeriani Victor Moses i Chelsea-t, polaku Karol Linetty i Sampdoria-s dhe belgu Yannick Carrasco i Atletico Madrid, që përballë Malagas realizoi dy gola, për një total prej 6 rrjetash në harkun e 15 ditëve.
Në sulm, përkrah Gonzalo Higuain që i shënoi ish-skuadrës së tij, Napolit në përballjen me Juventusin dhe Cristiano Ronaldos, autor të tri golave në fitoren 4-2 të Realit të Madridit ndaj Deportivo Alaves, rreshtohet edhe Anthony Modeste. Sulmuesi i Koln ka marrë edhe epitetin “Uragani i Bundesligës”, me francezin që përballë Hamburgut realizoi tregolëshin e parë personal në elitën e futbollit gjerman.

Artikulli paraprakKonflikti po përgjon mbi Gramoz
Artikulli tjetërShkëndija, emra të njohur për stolin