A është arrestuar ish-Kryeprokurori Adriatik Llalla?

Ish-prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, është ende i lirë, përkundër raportimeve mediatike të shpërndara mesditën e kësaj të Hëne në një pjesë të medias shqiptare.

Burime nga Interpol Tirana tregojnë se mesjavën e kaluar, oficerët e Policisë së Romës janë paraqitur në adresën e deklaruar nga vetë Llalla në kryeqytetin italian, ku e kanë njoftuar për Urdhërin e Kërkimit Ndërkombëtar, të lëshuar nga Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK).

Më tej, policët italianë janë larguar, pa kryer asnjë veprim procedurial dhe as arrestimin e tij.

Gjykata e Posaçme e dënoi Lallën në muajin Maj me 2 vite burg për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”. Po ashtu, Gjykata vendosi edhe konfiskim të pasurive, gati 22 mijë metra katrorë truall dhe një apartament në Durrës. Dënimi u konfimua dhe nga Apeli në muajin Shtator dhe Llalla u shpall në kërkim.

Avokati i ish-kryprokurorit ka këmbëngulur në pafajsësinë e Lallës. Ai është shprehur se çështja ndaj Llallës ishte e paragjykuar, e njëanshme, e padrejtë dhe e paligjshme.

Artikulli paraprakPD kallëzon në SPAK tre deputetë të PD
Artikulli tjetërMessi kundër Ronaldos përsëri, kush do të triumfojë?