A do t’i kërkojë Rama ndjesë mikut të paçmuar të shqiptarëve, Noel Malcolm?

Nga Petrit Kuçana

“Kryeministri nuk ndodhet këtu. Po shpërndan disa çertifikata pronësie në një fshat të Elbasanit”.
Ishte lajmi i pabesueshëm që morën disa të ftuar në promovimin e librit të Sir Noel Malcolm në Bibliotekën COD në Kryeministri, në Tiranë.
Befasia ka vazhduar kur në sallën e bukur të Kryeministrisë nuk ka begenisur të shkonte askush tjetër, zv/Kryeministri, ndonjë ministër apo deputet…
Përveç Robert Elsiet apo studiuesit Bejtullah Destani të shkuar nga Roma për këtë qëllim, tek-tuk shihej ndonjë studiues apo historian apo botues.
Kryeministri i Republikës ka qenë duke shpërndarë çertifikata pronësie në Elbasan?
Nuk e priti Malcolmin? –JO
As pas çertifikatave? –JO
Qoftë edhe për pak minuta, sa të kishte një foto, që mund ta përdorte për PR? …
Është e neveritshme, e frikshme dhe nuk dihet se cila fjalë e fjalorit të pasur shqiptar do të mund të plotpërmbushte këtë pafytyrësi, madje pabesi të kryeministrit tonë.
A ka ndonjë bir…. që t’i thotë kryeministrit të Shqipërisë se në botën e gjallë nuk mund të gjendet ndonjë mik më i madh për shqiptarët se SIR Noel Malcom, se kontributi i tij është pakrahasimisht më i madh se i të gjithë diplomacisë shqiptare të marrë së bashku?
Dhurojani ju lutem Kryeministrit Librin e tij për Kosovën.
Dhurojani ju lutem librin e tij të fundit “Agjentë Perandorakë” që i mori 20 vjet kërkime dhe studime.
Tregojini kryeministrit se, kalorësi i Mbretëreshës për këtë libër ka shfrytëzuar materiale arkivore në 10 gjuhë, nga shumë e shumë arkiva të shteteve të ndryshme të Evropës. Shqiptarët e rrethinave të Elbasanit, patjetër që do të prisnin, madje me siguri do t’i refuzonin ato çertifikata pronësie, nëse do e dinin se në momentet kur po merrnin çertifikatat, në Tiranë po bëhej promovimi i librit të tij.
A mundet ndonjë këshilltar, ndonjë mik apo dashamirës i kryeministrit Rama, t’i tregojë atij se më e pakta që mund të bëjë është t’i përulet me ndjesën më të madhe këtij kolosi të çështjes shqiptare.
Të paktën Erion Veliaj i dha një çelës të Tiranës, që u duk si një dritëhije në mynxyrën e Kryeministrisë.
Presidenti i Kosovës i dha dekoratën më të lartë, “Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit”, Prizreni e shpalli “Qytetar nderi”, Ulqini e priti ngrohtësisht.
Tirana?
Më e pakta që mund të bënte çdo shqiptar që ka lexuar librat e tij, ka dëgjuar ndonjë inervistë të tij do t’i thoshte.

Na fal i dashur mik!
Përunjësisht

Artikulli paraprakKriminalizimi i dekriminalizimit
Artikulli tjetërPoet