8 arsye për të mbështetur emërimin e Tillersonit

“Forbes”
Vazhdojnë të qarkullojnë thashetheme se presidenti i zgjedhur, Donald Trump do të emërojë Rex Tillersonin, kreun ekzekutiv të ExxonMobil, si sekretar të Shtetit amerikan. Ndryshe nga diplomatët e mëparshëm, Tillerson nuk ka eksperiencë qeverisëse. Ekzekutivi i Exxonit nuk është politikan, nuk ka një karrierë si punonjës publik dhe as një të përgjithshme akademike. Por ka disa arsye përse eksperienca e tij unike mund ta ndihmojë të jetë çuditërisht një sekretar Shteti i shkëlqyer.

Negocimi: Ai është një negociator i shkëlqyer dhe me përvojë. Historikisht, sekretari i Shtetit nuk ka nevojë të drejtojë negociatat në tavolinë, siç ka bërë sekretari Kerry për sa i përket negociatave për marrëveshjen bërthamore me Iranin, por është përgjegjës për to. Tillerson ka eksperiencën e nevojshme të drejtimit të negociatave mbi gjithçka, që nga shfrytëzimi i pronës tek problemet e punonjësve apo marrëveshjet e transportit. Nën lidershipin e tij, Exxon ka negociuar me qeveri të huaja dhe atë amerikane dhe me shumë konglomerate ndërkombëtare.

Menaxhimi: Si kreu i një kompanie globale 370 miliardë dollarëshe me veprimtari në 50 shtete, Tillerson ka eksperiencë të menaxhimit të operacioneve të mëdha. Qëllimi dhe gama e operacioneve të Exxonit është e jashtëzakonshme përfshirë: nxjerrjen e naftës, ndërtimin, logjistikën, kërkimi i teknologjisë së lartë, zhvillimi, marketingu, shitjet, burimet njerëzore etj. Sekretari i Shtetit drejton një institucion me një buxhet prej 65,9 miliardë dollarë në vit dhe operon pothuajse në çdo vend të botës duke përfshirë operacione si: shërbimet e vizave, shërbimi për amerikanët jashtë shtetit, siguria kombëtare, promovimi i tregtisë, siguria diplomatike dhe natyrisht diplomacia e nivelit të lartë. Krahasuar me një politikan, akademik apo diplomat, Tillerson duket qartë se ka më shumë eksperiencë menaxhuese.

Lidershipi botëror: Tillerson ka eksperiencë diplomatike – me përfaqësinë e Exxonit në vend të Shteteve të Bashkuara. Si i njeh liderët botërorë dhe i kupton motivacionet e tyre. Tillersonit i është dashur të akomodojë shqetësimet e liderëve botërorë dhe t’i inçentivizojë ata që të bashkëpunojnë me të. Kjo pasqyron edhe nevojat e Shteteve të Bashkuara: një diplomat i lartë, i cili adreson motivacionet e liderëve botërorë dhe i bind ata të bashkëpunojnë me Shtetet e Bashkuara, jo kundër tyre.

Sektori privat dhe etika e punës: Tillersoni u bashkua me Exxonin në vitin 1975 dhe është promovuar për arritjet e tij. Ai nuk kënaqet duke udhëtuar nëpër botë duke bërë fotografi simbolike. Exxoni ka qenë një nga kompanitë private globale më fitimprurëse për shkak të arritjeve të Tillersonit. Ai mund të sjellë një etje për sukses në Departamentin e Shtetit duke përfaqësuar Shtetet e Bashkuara nëpër botë.

Konflikti i interesit: Një nga shqetësimet më të mëdha për Tillersonin në Departamentin e Shtetit është që lidhjet e tij me Exxonin nuk mund të shkëputen lehtë pasi zotëron pjesë të kompanisë. Ka dy probleme me këtë argument: Së pari, Shtetet e Bashkuara kanë lejuar rregullisht që anëtarët e sektorit privat të marrin role të mëdha në departamentet federale. Për shembull, sekretari i Thesarit të Shtetit vjen shumë shpesh në Wall Street. Së dyti, është lidhja me sektorin privat që bëhet pengesë për emërime të ndryshme, Shtetet e Bashkuara nuk do të kenë mundësi të shfrytëzojnë benefitet e eksperiencës dhe talenti që sjell sektori privat.

Lidhjet me liderët e huaj: Disa argumentojnë se Tillerson, si përfaqësues i Exxonit, ka ndërtuar një marrëdhënie me Rusinë duke u nderuar edhe me çmimin e miqësisë dhe duke kundërshtuar sanksionet. Shumë ekspertë e shikojnë me negativitet këtë lidhje, por duhen marrë në konsideratë edhe lidhjet e guvernatorit të Ajoas, Terry Brandstand me presidentin kinez, Xi Jinping, për shembull, si një komponent i rëndësishëm për emërimin e tij si ambasador në Kinë.

Energjia dhe mjedisi: Ambientalistët ankohen për faktin që ekzekutivi i një kompanie energjetike të marrë rolin kryesor në qeveri, por Tillersoni mund të mburret me dekadat e punës së Exxonit për energjinë alternative. Në fakt, eksperienca e tij në industrinë e energjisë është një avantazh i dukshëm. Për shembull, ai e di si përdoret energjia për t’i bërë presion Kinës të adoptojë praktikat e tregtisë së lirë.

Besnikëria: Ky duhet të jetë fokusi kryesor i Senatit për procesin e emërimit të tij sepse përvoja e Tillersonit dhe aftësitë e tij janë tashmë të demonstruara. Pas 40 vitesh tek Exxoni, a mund të përshtatet ai me një pozicion të ri dhe përgjegjësi tërësisht të ndryshme? Këtë do ta vlerësojnë presidenti i zgjedhur Trump, këshilltarët e tij dhe Senati. Nuk ka asnjë shenjë në historinë e Tillersonit që të sugjerojë se mund të jetë jo besnik, në fakt ai drejton një kompani që prej dekadash mbështet ekonominë amerikane.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakRex Tillerson mund të jetë i duhuri
Artikulli tjetërDollia e Ramës për Shpëtim Gjikën pasi i shpëtoi burgut