5 kg heroinë e kapur në Bari ishte nisur nga Porti i Durrësit

Çifti që u arrestua të hënën në Bari me 5 kg heroinë rezulton të jetë nisur nga Porti i Durrësit. Policia shqiptare, në bashkëpunim me Prokurorinë kanë nisur hetimet mbi këtë rast. Sipas burimeve, burri dhe gruaja që nuk janë të martuar rezultojnë me origjinë nga Fieri dhe kanë udhëtuar me një automjet Mercedes-Benz.
Ata e kishin fshehur drogën në gomat e automjetit, ndërsa policia shqiptare dhe Prokuroria po verifikojnë procedurat që janë ndjekur gjatë imbarkimit të automjetit në traget dhe nëse i është nënshtruar kontrollit në skaner.
Sipas “Guarda di Finanza”-s, droga u gjet në një automjet që erdhi me traget nga Shqipëria. Heroina ishte fshehur në brendësi të gomave të makinës, ku udhëtonin një burrë dhe një grua, identiteti i të cilëve nuk dihet. Droga u gjet pas kontrollit në vijën e dytë, ndërsa çifti u arrestua në flagrancë. Në tregun italian, sasia e heroinës do të sillte përfitime të majme, ndërsa policia italiane po heton për persona të tjerë të përfshirë në trafik.
Ndërkohë në të njëjtën ditë u kap një sasi prej 400 kg drogë marijuanë dhe hashash si dhe një shumë prej 100 mijë eurosh nga policia italiane, ndërsa operacioni ka përfunduar edhe me katër arrestime.

Artikulli paraprakKrimet e Rënda nisin gjyqin për Domart Konjarin për trafik droge
Artikulli tjetërTerrori me eksploziv në mes të Shkodrës, autorët ende të lirë