4.5 miliardë lekë mungojnë në arkën e shtetit në shtator

Të ardhurat buxhetore për 9-mujorin arritën në 298.1 miliardë lekë, duke qenë 4.5 miliardë lekë më të ulëta në raport me planin e rishikuar në shtator. Nga 4.5 miliardë lekë që mungojnë, rreth 2.1 mld lekë janë nga të ardhurat tatimore e doganore, rreth 1.4 miliardë lekë nga ndihmat dhe rreth 1 miliard lekë nga të ardhurat jotatimore.
Në raport me planin fillestar, të ardhurat janë 7.2 miliardë lekë më pak, sipas statistikave fiskale të publikuara nga Ministria e Financave.
Në raport me 9-mujorin e vitit të kaluar, të ardhurat në buxhet janë rritur me 6.7%.
Të hyrat nga tatimet e doganat u zgjeruan me 7.4%, duke arritur në 204 miliardë lekë, rreth 2.1 miliardë lekë më pak se plani.
Të ardhurat nga TVSH u rritën me 6% në 96 miliardë lekë. Performancë të mirë vijoi të ketë dhe tatim fitimi, që u zgjerua me 19% në 21.7 miliardë lekë.
Të ardhurat nga akciza dhe tatimi mbi të ardhurat personale u rritën përkatësisht me 5% dhe 9.7%.
Mosrealizimin më të madh në raport me planin e shënoi TVSH me minus 3.9 miliardë lekë, (një tregues direkt ky i qarkullimit në ekonomi), që është amortizuar disi nga tejkalimi i planit për tatim fitimin (+3.6 miliardë lekë).
Të ardhurat nga taksat nacionale u rritën me 5.6%, por ishin 1.5 miliardë lekë më pak se plani për shkak të konjunkturës së pafavorshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Të ardhurat nga pushteti vendor u zgjeruan me 23%, në 11.2 miliardë lekë në linjë me planin e rishikuar.
Të ardhurat nga sigurimet dhe kontributet shoqërore u rritën përkatësisht me 11.8% dhe 14.1%, duke qenë afër planit.
Të ardhurat jo tatimore ranë me 16.4%, teksa vitin e kaluar ky zë u ndihmua nga të hyrat prej 4.5 miliardë lekësh si rrjedhojë e pagesës së tarifave të licencave celulare. Ky zë ka një mosrealizim me planin e rishikuar me rreth 1 miliard lekë.

Artikulli paraprakMasakra me HEC-et me ligjin e ri të qeverisë për koncesionet
Artikulli tjetërZyrtarë në Kuvend me identitet të dyfishtë, verifikim në Prokurori