Zyrtarë në Kuvend me identitet të dyfishtë, verifikim në Prokurori

Institucioni i Kuvendit të Shqipërisë ka bërë verifikimin e punonjësve të saj të administratës në kuadër të ligjit të Dekriminalizmit, për zyrtarët që kanë apo kanë patur probleme me ligjin.
Nga verifikimet e bëra, Kuvendi njofton se të gjithë punonjësit e saj nuk kanë rekorde kriminale dhe nuk rezultojnë të dënuar nga Gjykatat shqiptare.
Por, theksohet se disa prej këtyre zyrtarëve kanë ndryshuar emrin vite më parë, gjë të cilën e kanë vetëdeklaruar, por ky ndryshim nuk përputhet me të dhënat e regjistrit aktual referues të vitit 2010.
Në lidhje me këtë problem, institucioni i Kuvendit thotë se do të dërgojë edhe njëherë të dhënat për këta zyrtarë pranë Gjendjes Civile dhe Prokurorisë së Përgjithshme për verifikim.

Njoftimi i institucionit të Kuvendit për Dekriminalizimin:
Bazuar në Ligjin 138/2015 dhe Vendimin e Kuvendit Nr.17/2016, dalë në zbatim të tij, Kryetari i Kuvendit, në cilësinë e organit përgjegjës, ka vijuar me fazën tjetër ligjore pas publikimit të formularëve, ku bazuar në Kreun V, pika 2/b dhe 3/c të Vendimit të Kuvendit Nr.17/2016, ka kërkuar zyrtarisht me shkresë informacion nga Zyra e Gjendjes Civile dhe Zyra e Gjendjes Gjyqësore për të gjithë funksionarët që kanë dorëzuar formularët e vetëdeklarimit pranë Kryetarit të Kuvendit.
Është administruar në Kuvend, informacioni mbi gjendjet gjyqësore për të gjithë funksionarët që kanë dorëzuar formularët e vetëdeklarimit pranë Kryetarit të Kuvendit.
Nga përgjigjia e kësaj drejtorie, rezulton se asnjë nga subjektet e verifikimit nuk ka rekorde të gjendjes gjyqësore në vend, pra rezultojnë të gjithë të padënuar nga gjykatat shqiptare.
Nga verifikimi i kryer nga struktura e posaçme e ngritur në Kuvend, asnjë nga zyrtarët nuk ka deklaruar të jetë i dënuar nga gjykatat shqiptare përveç rasteve të dënimit politik në kohën e diktaturës që nuk janë pjesë e këtij ligji.
Pas një rikujtese shkrese dërguar DPGJC, është administruar së fundmi edhe përgjigjia nga kjo Zyrë, me verifikimin e përbërësve të të dhënave të Rregjistrit Kombëtër të Gjendjes Civile të vitit 2010, për të gjithë listën emërore të funksionarëve publikë, subjekt i këtij ligji pranë Kryetarit të Kuvendit.
-Përmes kësaj përgjigje, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile ka dërguar listën emërore të konsultuar me të dhënat e vetdeklaruara nga subjektet dhe ato që pasqyrohen në regjistrat themeltarë (regjistri kombëtar i shtetasve NCR) ku janë dhënë edhe ndryshimet përkatëse për ato raste që kanë rezultuar të tillë.
Nga struktura e posaçme e Kuvendit, janë verifikuar emrat nominalë të zyrtarëve, të cilët kanë deklaruar ose jo ndryshime të përbërësve të gjendjes civile.
Nga ky kontroll i strukturës, rezulton se shumë emra i referohen ndryshimeve të mbiemrit pas martesës apo dhe ndryshimit të mbiemrit si rrjedhoje e dekretit të Presidentit për marrje shtetësie si dhe korrigjimeve për shkak të gabimit material nga zyrat e gjendjes civile. Këto ndryshime janë të përputhura edhe me regjistrin e gjendjes civile të verifikuar nga zyra përkatëse e gjendjes civile.
Nga verifikimi i strukturës së posaçme, e krahasuar me të dhënat e zyrës së gjendjes civile, na rezulton se disa zyrtarë që kanë vetdeklaruar ndryshime të emrit apo mbiemrit në kohë të ndryshme më të hershme, nuk rezultojnë me ndryshime të tilla në Regjistrin aktual referues të vitit 2010. Siç dhe arsyetohet në shkresën e Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, konsultimi i plotë i këtyre të dhënave vijon në zyrat përkatëse të gjendjes civile, ku ato figurojnë të regjistruar.
Pas  marrjes  dhe administrimit të informacionit zyrtar shkresor nga Zyra e Gjendjes Civile dhe Zyra e Gjendjes Gjyqësore, informacioni i mbledhur me shpjegimet përkatëse për gjeneralitete të ndryshuara apo vendime të formës së prerë të marra jashtë Shqipërisë, në zbatim të Ligjit 138/2015 , procesi do të vijojë duke i dërguar edhe njëherë Zyrës së Gjendjes Civile kërkesën për riverifikim për raste konkrete si dhe Prokurorisë së Përgjithshme, me qëllim verifikimin e plotë të të dhënave të plotësuara në formularin e vetdeklarimit nga zyrtarët, subjekt të këtij verifikimi ligjor, për të vlerësuar të dhënat e administruara në përputhje me parashikimet e Vendimit Nr.l7 /2016 të Kuvendit për ato zyrtarë që rezultojnë me identitet të ndryshëm apo nuk kanë deklaruar ndryshimet e raportuara sipas ZGJC dhe ata me vendime të gjykatave jashtë shtetit.

Artikulli paraprak4.5 miliardë lekë mungojnë në arkën e shtetit në shtator
Artikulli tjetërNATO dhe çështja e furnizimit me karburant të anijeve ruse