22 milionë euro për largimin nga PSG

Laurent Blanc nuk do të jetë më trajner i Paris Saint Germain. Pavarësisht trofeve të fituar dhe dominimit të futbollit francez gjatë viteve të fundit, sheikët vendosën të ndërpresin marrëdhënien e kampionëve të Ligue 1 me teknikun. Blanc firmosi prishjen e kontratës me klubin parizien, megjithatë lamtumira nuk duket se ka qenë e dhimbshme. Përkundrazi. Me largimin e parakohëshëm nga Paris Saint Germain, ish-mbrojtësi do të përfitojë një dëmshpërblim të majmë.
Bëhet fjalë për 22 milionë euro, të cilat do ta shndërrojnë trajnerin në një të papunë, pasanik. Lajmi u publikua nga e përditshmja franceze “L’Equipe”, sipas të cilës marrëveshja për prishjen e kontratës u arrit gjatë mëngjesit të së enjtes. Përveç lamtumirës zyrtare nga klubi parizien, pritet që kampionët e Francës të konfirmojnë edhe emërimin e Unay Emery si trajneri i ri i skuadrës, për të nisur një tjetër cikël fitues.
Dëmshpërblimi prej 22 milionë eurosh për Laurent Blanc është shifra e barazvlefshme me pagën bruto të dy viteve që kishin mbetur në kontratën, të cilën trajneri e nënshkroi gjatë shkurtit të kaluar. Aty përfshihet edhe gjysma e pagës sezonale dhe një pjesë e shpërblimeve, për trofetë dhe rezultatet që skuadra aspironte të arrinte.

Artikulli paraprakSadiku në Serinë A
Artikulli tjetërPetrov kthehet te Aston Villa