Sadiku në Serinë A

Ëndrra e Armando Sadikut për të luajtur në Serinë A mund të realizohet së afërmi. Fjalët e sulmuesit shqiptar se e adhuron elitën e futbollit italian duket se nuk kanë rënë në vesh të shurdhët. Sampdoria nisi të studiojë situatën e golashënuesit historik të Shqipërisë në një eveniment madhor. Kuotat e 25-vjeçarit kanë marrë më tepër vlerë pas rrjetës së realizuar në portën e Rumanisë. Blucerchiati-t, që po mendojnë të nisin procesin e rindërtimit të skuadrës, pas rrezikut të rënies nga kategoria gjatë sezonit të kaluar, duken të gatshëm që të realizojnë ëndrrën e sulmuesit.
Drejtuesit e Sampdorias po e mendojnë seriozisht idenë e afrimit të Armando Sadikut, që pas huazimit të Vaduzi, sipas kontratës do të jetë i detyruar të kthehet te Zurich. Për blerjen e kuqeziut, klubi italian duhet të zgjidhë më parë dilemat në repartin ofensiv, siç është qëndrimi apo jo i Antonio Cassanos, apo edhe rreth së ardhmes së Fabio Quagliarella dhe kolumbianit, Luis Fernando Muriel. Një tjetër alternativë për Armando Sadikun duket edhe Superliga turke, me Rizespor që është futur në garën për shërbimet e elbasanasit 25-vjeçar.
Dy ndeshje si titullar në Kampionatin Europian dhe çmimi si Lojtari i Ndeshjes, në fitoren përballë Rumanisë e kanë shndërruar Arlind Ajetin në futbollistin më të kërkuar të Shqipërisë në merkato. Pas Pescara-s dhe Lazio-s që prej javësh kanë shfaqur interes për mbrojtësin, tashmë në garën për shërbimet e ka hyrë edhe Bologna. Madje, sipas “Sky Sports” Italia, klubi emilian duket në avantazh për ta afruar.
Ofertat nga skuadrat elitare në Itali lidhen me paraqitjet e shkëlqyera të Arlind Ajetit gjatë sezonit të kaluar, kur lojtari i lindur në Basel, mbrojti ngjyrat e Frosinones. Bologna është në avantazh për të siguruar pasardhësin e Lorik Canës në qendër të mbrojtjes së Shqipërisë, edhe pse Pescara e Ledian Memushajt dukej pranë akordit me lojtarin.
22-vjeçari, i cili mbylli sezonin me Forsinonen, por pa mundur të shmangte rënien nga Seria A të skuadrës së tij, i ka rritur ndjeshëm kuotat në merkato, madje së fundmi për të ka shfaqur interes edhe Fenerbahce.
Nënkampionia e Turqisë kërkon një qendërmbrojtës të ri, për ta rreshtuar krah danezit Simon Kjaer dhe Ajeti ka profilin e duhur për këtë rol. Sigurisht është herët për të folur për një marrëveshje përfundimtare, por është e qartë se drejtuesit e klubit turk kanë nisur kontaktet me përfaqësuesit e lojtarit, që sapo mbylli aventurën me Shqipërinë në “Euro 2016”. Për Ajetin në fakt është interesuar edhe Pescara e sapongjitur në Serinë A, por gjithçka varet nga oferta që do t’i bëjë klubi italian. Nuk duhet anashkaluar fakti se me Fenerbahcen qëndrmbrojtës i Shqipërisë do të ketë mundësi të luajë edhe në Kupat e Europës.

Artikulli paraprak“Euro 2016”, Memushaj në ekip me Ramsey e Ronaldo
Artikulli tjetër22 milionë euro për largimin nga PSG