22.2 milionë dollarë për udhëtimet e luksit të qeverisë në 2016

Qeveritarët shqiptarë shpenzuan për udhëtimet e tyre jashtë vendit 2.6 milionë dollarë në vitin 2016 me një rritje 46 për qind në krahasim me vitin 2015. Gjithsej shpenzimet buxhetore jashtë vendit ishin 22.2 milionë dollarë vitin e kaluar me një rritje vjetore 7.6 për qind. Analiza sipas zërave tregon për një tkurrje me 21 për qind të shpenzimeve për pagat e stafit të ambasadave. Ministria e Financave sqaron se, pagat për trupin diplomatik vitin e kaluar kushtuan 3.6 milionë dollarë nga 4.6 milionë dollarë më 2015, teksa shihet se janë rritur shpenzimet e tjera për ambasadat, duke arritur në 8.2 milionë dollarë më 2016 ose 34% më shumë se më 2015. Gjithashtu në vitin e kaluar, Shqipëria ka paguar kuota të anëtarësimeve në organizmat ndërkombëtare me vlerë 7 milionë dollarë. Gjithsesi shpenzimet buxhetore jashtë vendit janë përgjysmuar në raport me vitin 2014, ku vlera e tyre ishte mbi 42.6 milionë dollarë. Gati gjysma e këtyre shpenzimeve dominohej nga shpenzimet e udhëtimit të zyrtarëve shqiptarë jashtë vendit me mbi 9 milionë euro. Pas rotacionit të qeverisjes me 2013, stafi i zotit Rama realizoi shumë udhëtime më 2014 për t’u prezantuar në rrafshin ndërkombëtar. Gjithashtu në vitin 2014, qeveria realizoi një reformë në stafin e Trupit Diplomatik, duke shkurtuar rreth 30 për qind të tij. Shpenzimet për ambasadat në vitin 2016 ishin 18% më të ulëta se më 2014.

Artikulli paraprak12 zyrtarë të PS-LSI shkarkohen për përfshirje në fushatë elektorale
Artikulli tjetërZgjedhjet, kreu i KQZ pret delegacionin e Asamblesë Parlamentare të KiE