Zgjedhjet, kreu i KQZ pret delegacionin e Asamblesë Parlamentare të KiE

Kryetari i KQZ-së, Klement Zguri, priti anëtarët e misionit parazgjedhor të Komisionit Ad Hoc për vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës. Delegacioni i Asamblesë së Këshillit të Evropës, kryesohej nga Paolo Corsini, i Grupit Parlamentar të Partive Socialiste. Qëllimi i takimit ka qenë mbledhja e fakteve për situatën parazgjedhore në Shqipëri dhe përgatitjet që po bëhen nga KQZ për zgjedhjet e datës 25 qershor 2017. Kryetari i KQZ-së, Zguri duke i falënderuar për vizitën, i njohu anëtarët e delegacionit me ecurinë e deri tanishme të përgatitjeve për procesin zgjedhor. Interesit të delegacionit lidhur me ndryshimet e fundit ligjore të bëra nga Kuvendi i Shqipërisë, Zguri u shpreh se, këto e kanë vënë KQZ-në në sfidën e kohës, por KQZ si institucioni kyç në monitorimin e financimit dhe shpenzimeve të partive politike gjatë fushatës zgjedhore, po punon me intensitet për të nxjerrë të gjithë aktet ligjore të nevojshme dhe po asistohet me ekspertizë nga Këshilli Evropës, Instituti Demokratik Amerikan (NDI) dhe Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA). Gjatë takimit u nënvizua fakti se objekt i monitorimit të KQZ-së, përmes Bordit të Monitorimit të Medias është edhe pasqyrimi i fushatës elektorale në media, dhe se ndryshimet në ligjin për “Partitë Politike” sollën reagim të operatorëve audioviziv privat. Dje, përfaqësuesit e KiE kanë zhvilluar një takim me përfaqësues të Partisë Demorkatike. “Sot u takuam me Misionin parazgjedhor të Këshillit të Europës për vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, kryesuar nga zoti Paolo Corsini. Në takimin me të dërguarit e asamblesë së KiE u diskutua gjerësisht mbi zgjedhjet e 25 qershorit dhe rëndësinë e tyre për të ardhmen e vendit. I parashtruam të dërguarve të KiE problematikën që kanë këto zgjedhje, duke filluar që nga influenca e tonelatave të drogës paratë e të cilës mund të përdoren gjatë fushatës dhe për të diktuar votën, tek angazhimi i administratës shtetërore në fushatë në kundërshtim me ligjin. Tashmë janë bërë publike me dhjetëra raste të përfshirjes së administratës në zgjedhje dhe presionit mbi punonjësit. Bizneset kanë denoncuar dhjetëra raste të presionit të organeve tatimore. Po kështu në takim u fol dhe për njëanshmërinë e mediave në favor të PS dhe LSI diktuar nga presioni i tyre”.

Artikulli paraprak22.2 milionë dollarë për udhëtimet e luksit të qeverisë në 2016
Artikulli tjetërBerisha: Rama fsheh dosjet e koncesioneve