12 zyrtarë të PS-LSI shkarkohen për përfshirje në fushatë elektorale

Standardi për mos përfshirjen e administratës publike në fushatën elektorale po konsolidohet. Për herë të parë, në historinë e zgjedhjeve pluraliste në Shqipëri, administrata po frenohet me ligj për t’u bërë pjesë e fushatës elektorale. 12 zyrtarë të tjerë i janë shtuar listës së të penalizuarve me shkarkim të menjëhershëm nga detyra për shkak të përfshirjes së tyre në fushatën zgjedhore. Drejtori i Postave, Majlind Lazimi është liruar nga detyra dhe shkak mësohet se ka qenë fushata elektorale. Gjithashtu, është shkarkuar edhe drejtoresha e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Marisa Kaçori. Ajo është shkarkuar me motivacionin e pjesëmarrjes në fushatën e Partisë Socialiste dhe përdorimin e administratës për fushatë. Ky është një nga disa shkarkimet që kanë ardhur si rrjedhojë e pjesëmarrjes së drejtorëve në fushatë. Shkarkimi ka ardhur nga ministrja e re, Xhulieta Kërtusha. Po dje, është kallëzuar penalisht Drejtoresha e Postës në Berat, Haris Ngjeqari. Ajo është kallëzuar penalisht nga zëvendëskryeministrja Mandia, për shkak se u ka kërkuar punonjësve të plotësojnë një formular, qëllimi i të cilit ka qenë favorizimi i subjektit politik LSI. Shkarkimi i tyre erdhi dje, menjëherë pas ngritjes së task-forcës, e cila do të monitorojë rreptësisht administratën dhe sjelljen e saj gjatë gjithë fushatës zgjedhore deri në mbajtjen e zgjedhjeve më 25 qershor. Në fakt, marrëveshja e firmosur më 18 maj këtë kishte si qëllim, shmangien e përfshirjes së administratës në fushatën zgjedhore. Problemi u rëndua, sidomos kur bëhet fjalë për arsimin, gjatë kohës kur Rama ndërmori takime me ata që votojnë për herë të parë, e cila është dhe pjesa, e cila në mendësinë e tij mund të joshet më lehtë në këto prag votimesh. Nga të gjitha anët e vendit vinin pamje të autobusëve të mbushur me nxënës që shkonin nga një rreth në tjetrin, për të mbushur takimet e Ramës. Natyrisht në krye të këtij aksioni ishin drejtorët e Drejtorive Arsimore, por dhe drejtorët e gjimnazeve. Kulmi do të ishte, kur zhvilloi takimin e Tiranës, ku mësimi u bë me orë të shkurtuara, madje u premtua dhe ditë pushimi të nesërmen për ata që do të merrnin pjesë në këtë takim elektoral. Bëhet fjalë për takimin, ku ish-drejtoresha e Doganave do e krahasonte Ramën me Skënderbeun. Por jo vetëm kaq. Përfshirja e PS-së me anë të FRESSH në gjimnaze ishte kthyer në një gangrenë dhe për mësuesit, pasi ata që angazhoheshin në fushatë për Ramën u ishte dhënë e drejta me anë të një urdhri të pashkruar që jo vetëm të mos merrnin pjesë në mësime, por dhe notat të vendoseshin fiktive, duke dhënë kështu shembullin më të keq për të rinjtë. Nga ana tjetër, janë kjo kategori personash, të cilët shkojnë gjimnaz më gjimnaz, duke premtuar bursa apo të drejta studimi, të gjitha në këmbim të një vote në zgjedhjet e përgjithshme. Firmosja e marrëveshjes ku ministria kaloi me drejtues teknikë dhe ndryshimet në Kodin Penal, pritet ta frenojnë në maksimum këtë fenomen. PS ka nisur një fushatë agresive, duke përpjekur të mbushë takimet elektorale me punonjës të administratës. Denoncime të përditshme po publikohen në rrjetet sociale nga qytetarë të ndryshëm, të cilët me foto tregojnë se si drejtues të administratës publike bëjnë fushatë në krah të ministrave socialistë. Kjo situatë ka degraduar edhe më tej, me kërcënimet dhe shantazhet e hapura që po u bëhen punonjësve të administratës për të marrë pjesë në takimet elektorale të PS. Janë të përditshme rastet, ku drejtoritë e shkollave apo spitaleve nxjerrin mësuesit, mjekët, infermierët apo gjithë personelin të marrë me detyrim në takimet elektorale, duke mbyllur shkollat e spitalet.

Artikulli paraprakInteri presion Nisës për mbrojtësin brazilian
Artikulli tjetër22.2 milionë dollarë për udhëtimet e luksit të qeverisë në 2016