20 mijë biznese detyrime në QKB

Qendra Kombëtare e Biznesit i ka bërë thirrje edhe një herë biznesit për të dorëzuar në kohë pasqyrat financiare, raportet e auditit dhe të ecurisë së veprimtarisë për vitin financiar 2016. Afati i fundit për dorëzimin është 31 korriku, por kërkesa e QKB vjen në kushtet kur shumica e bizneseve preferojnë të bëjnë këto dorëzime në ditët e fundit, duke krijuar edhe probleme me sistemin.
Janë gati 20 014 subjekte që kanë detyrimin për të depozituar bilancet vjetore në QKB përmes portalit qeveritar e-albania, ndërkohë që subjektet me administratorë të huaj dhe shoqëritë e kursim kreditit duhet ta bëjnë aplikimin në sportelet e QKB.
Mosdepozitimi i pasqyrave financiare deri më 31 korrik 2017 shoqërohet me kundravajtjen administrative me 15.000 të reja.
Të dhënat zyrtare tregojnë se për vitin e kaluar kanë aplikuar për depozitimin e pasqyrave financiare 18 000 subjekte, nga të cilat 14 000 aplikime janë aprovuar dhe 4 000 të tjera janë refuzuar.
Subjektet mund të verifikojnë statusin e aplikimit të tyre nëpërmjet faqes zyrtare të QKB ose pranë sporteleve të QKB.
Më poshtë njoftimi i QKB
Mbi dorëzimin e pasqyrave financiare, raporteve të auditit dhe ecurisë së veprimtarisë për vitin financiar 2016, pranë QKB-së.
Të nderuar subjekte tregtare,
Mbështetur në Ligjin Nr. 9723, datë 03.05.2007, “Për regjistrimin e biznesit” i ndryshuar, neni 43, pika (a) subjektet që kanë detyrimin të depozitojnë pasqyrat financiare vjetore, raportin e ecurisë së veprimtarisë dhe raportin e auditimit, të mbajtur sipas kërkesave ligjore, kur mbajtja e tyre është e detyrueshme, detyrohen në çdo rast t’i depozitojnë këto dokumente jo më vonë se 7 muaj nga data e mbylljes së çdo viti financiar.
Detyrimi për depozitimin e dokumenteve të sipërcituara e kanë subjektet që janë regjistruar me përgjegjësi tatimore tatim fitimi, të cilët duhet të dorëzojnë pranë QKB-së:
o Pasqyrat financiare vjetore të skanuara në format PDF;
o Raportin e auditimit dhe ecurisë së veprimtarisë (kur mbajtja e tyre është e detyrueshme);
o Vendimin për miratimin e pasqyrave financiare (sipas kërkesës ligjore).
Afati i fundit i dorëzimit është data 31 korrik 2017.
Nëse një subjekt nuk përmbush detyrimin, sipas afatit ligjor të përcaktuar në Ligjin 9723/2007 “Për regjistrimin e Biznesit” i ndryshuar, atëherë QKB-ja, së bashku me zbatimin e sanksionit të parashikuar në pikën 3, të nenit 74, të këtij ligji, vepron në përputhje me parashikimet e shkronjës “ë”, të nenit 54, të këtij ligji.
Mënyra e depozitimit:
1. Depozitimi i dokumenteve të sipërcituara mundësohet vetëm nëpërmjet aplikimit online në portalin qeveritar e-albania, duke ndjekur të gjitha hallkat e procedurës për kryerjen e aplikimit.
2. Formati elektronik i ruajtjes së pasqyrave financiare, duhet të jetë në PDF;
3. Individi, i cili do të kryejë aplikimin, duhet të jetë i pajisur me kartë identiteti ose pasaportë biometrike;
4. Shërbimi ofrohet pa pagesë;

Artikulli paraprakMbi 31 milionë euro për mirëmbajtje të rrugëve
Artikulli tjetërKokëdhima: Rama, gati t’i hapë rrugë importit të plehrave