18 vite nga bombardimet kundër Serbisë

Tetëmbëdhjetë vjet më parë NATO-ja filloi fushatën e bombardimeve kundër forcave serbe, duke shënuar kësisoj fillimin e fundit të luftës gati dyvjeçare në Kosovë.
Fushata pasoi refuzimin e Beogradit për të nënshkruar marrëveshjen e negociuar në Rambouillet të Francës, për t’i dhënë fund luftës në Kosovë.
Fushata e bombardimeve nga ajri që zgjati 78 ditë, në tokë u shfrytëzua nga forcat serbe për sulme hakmarrëse kundër shqiptarëve. Mbi 10 mijë veta u vranë, mbi 800 mijë u ndoqën nga Kosova, ndërsa rreth 5 mijë të tjerë në fund të luftës llogariteshin si të zhdukur.
Më 10 qershor të vitit 1999, NATO-ja nënshkroi marrëveshjen me ushtrinë jugosllave për tërheqjen e tyre të plotë nga Kosova, ndërsa dy ditë më vonë trupat paqeruajtëse të KFOR-it hynë në Kosovë, duke i dhënë fund luftës, por edhe sundimit të Beogradit.
Tetëmbëdhjetë vjet më vonë rreth 5 mijë trupa të NATO-s kujdesen për sigurinë në Kosovë dhe prania e kësaj force pritet të vazhdojë për një kohë të gjatë.
Shënimi i kësaj dite në Kosovë bëhet sipas përkatësisë etnike. Institucionet e Kosovës 24 marsin e vlerësojnë si një ditë me rëndësi vendimtare për historinë e vendit.
Nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, Kosova shpalli pavarësinë e saj, e cila deri tash është njohur nga mbi 100 vende të botës në mesin e të cilave Shtetet e Bashkuara dhe vendet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian, ndërsa kundërshtohet nga Beogradi dhe Moska.
Vlerësimet për 24 marsin ndërkaq janë krejt ndryshe tek komuniteti serb dhe zyrtarët e Beogradit, të cilët e vlerësojnë Serbinë si “viktimë të agresionit të NATO-s”. Bombardimet e vitit 1999 të drejtuara nga Shtetet e Bashkuara, i kanë kthyer serbët kundër Perëndimit dhe drejt Rusisë, e cila po ashtu kundërshton pavarësinë e Kosovës që u shpall në vitin 2008, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Evropës Perëndimore.
Rusia kundërshton fuqishëm anëtarësimin e mundshëm të Serbisë në NATO, ndërsa ka zhvilluar fushatë kundër anëtarësimit të Malit të Zi në aleancën ushtarake perëndimore.
Tetëmbëdhjetë vjet më pas, Kosova dhe Serbia ndodhen në një proces aktualisht të pezulluar bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre në shkëmbim të afrimit me Bashkimin Evropian. Por, tensionet ndërmjet të dyja vendeve mbeten të larta.
Beogradi kundërshton pavarësinë e Kosovës dhe çdo zhvillim që identifikohet me shtetësinë e saj. Ai reagoi me zemërim ndaj një projektligji të hartuar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të saj. Projektligji u kundërshtua edhe nga NATO-ja dhe ambasadori amerikan në Prishtinë, të cilët kërkuan që ushtria e Kosovës të themelohet nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese, që kërkojnë edhe votën e deputetëve serbë.
Kjo është hera e parë që një nismë e autoriteteve në Kosovë nxit reagime të tilla të Shteteve të Bashkuara, roli i të cilave në Kosovë vlerësohet i pazëvendësueshëm në të gjitha proceset që çuan në çlirimin e saj në vitin 1999 dhe shpalljen e pavarësisë në shkurt të vitit 2008.
Presidenti Thaçi i përballur edhe me kritikat e brendshme për mungesë bashkërendimi të veprimeve me aleatët e Kosovës, ka theksuar se themelimi i ushtrisë është domosdoshmëri për ruajtjen e paqes dhe qëndrueshmërisë në Kosovë dhe në rajonin e kërcënuar nga tensionet në rritje.

Mustafa: Sulmet e NATO-s i hapën udhë pavarësisë së Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se 24 marsi i vitit 1999, është ditë historike për Kosovën, pasi sulmet ajrore të NATO-s, mbi caqet serbe, përshpejtuan “çlirimin e Kosovës dhe i hapën udhë pavarësisë së vendit”.
Në përvjetorin e 18-të të fushatës ajrore të Aleancës së Veriatlantikut, kryeministri Mustafa ka shprehur mirënjohjen e përjetshme të Kosovës, për Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar “dhe të gjitha vendeve të tjera të NATO-s, të cilat na u gjenden pranë në momentet më të vështira”.
“Nisja e kampanjës ajrore të Aleancës Veriatlantike më 24 mars 1999, është ditë historike për Kosovën, për NATO-n, por edhe për konceptin modern të lirisë dhe domosdoshmërisë së mbrojtjes së saj nga regjimet kriminale”, ka shkruar Mustafa në Facebook.
Kryeministri Mustafa ka thënë se partneriteti strategjik dhe koordinimi në çdo hap i Kosovës me SHBA-në dhe miqtë euroatlantikë “janë formula e suksesit tonë të përbashkët në të ardhmen”.

Artikulli paraprakSHBA, projektligji që shton sanksionet e Iranit
Artikulli tjetërDy arrestime të reja për sulmin e Londrës