SHBA, projektligji që shton sanksionet e Iranit

Senatorët amerikanë nga dy partitë më të mëdha politike kanë prezantuar një legjislacion për të forcuar sanksionet ndaj Iranit për lançimin e raketave balistike dhe aktiviteteve të tjera jobërthamore ushtarake.
Autorët e këtij ligji janë udhëheqësit e Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë dhe ai po ashtu është i bashkësponsorizuar nga shtatë senatorë republikanë dhe demokratë.
Projektligji parasheh qëndrimin e ashpër të presidentit Donald Trump ndaj Teheranit dhe pritet që të kalojë në Senat.
“Bashkëpunimi i dy partive politike është i rëndësishëm për këtë projektligj sepse nënvizon besimin tonë të fortë, se Shtetet e Bashkuara duhet të jenë të zëshëm në çështjen e mbajtjes përgjegjës Iranin për veprimet e vazhdueshme në gjithë botën si shteti kryesor që sponsorizon terrorizmin”, ka thënë senatori demokrat, Robert Menendez.
Kryetari i komitetit, Bob Corker ka thënë se projektligji ka për synim “veprimet destabilizuese” të Iranit, që kërcënojnë aleatët e SHBA-së në Lindjen e Mesme.
Ky legjislacion u prezantua në prag të një konference vjetore në Uashington mbi ndikimin e grupit lobues proizraelit AIPAC.
Projektligji parasheh që sanksionet të jenë të detyrueshme për të gjithë të përfshirët në programin e raketave balistike të Iranit.
Aty do të vendosen edhe sanksione ndaj Gardës Revolucionare Islamike, ndërsa sanksionet tashmë të vendosura, do të futen në ligj nga dega e ekzekutivit mbi individët që lidhen me mbështetjen e pretenduar të Iranit për terrorizmin.
Garda Revolucionare Islamike, një trup elite ushtarake, është një forcë e fuqishme politike në Iran dhe ka një prani të gjerë në gjithë ekonominë e Iranit.
Projektligji gjithashtu do të kërkojë që presidenti i SHBA-së të ngrijë asetet e çdo personi ose subjekti të përfshirë në aktivitete specifike që shkelin embargon e armëve të vendosur nga OKB-ja ndaj Iranit.
Irani ka thënë se projekligji për saksione për aktivitete jobërthamore shkel marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, të arritur me fuqitë botërore.
Por, autorët e këtij projektligji insistojnë se ai është hartuar me kujdes, me qëllim që të shmangë ndërhyrjen në marrëveshjen për programin bërthamor të Teheranit.
Presidenti Trump e ka bërë të qartë se ai dëshiron të forcojë qëndrimin e tij ndaj Iranit dhe senatori Corker tha se ai është konsultuar me Shtëpinë e Bardhë për hartimin e këtij projektligji.
Në shkurt, administrata Trump vendosi sanksione ndaj 25 individëve dhe subjekteve në Iran, duke thënë se ky ishte “hapi i parë” në përgjigjen ndaj testimeve të vazhdueshme të Iranit të raketave balistike, për të cilat SHBA thotë se janë në kundërshtim me rezolutat e OKB-së.
Teherani gjithashtu ka zemëruar Uashingtonin, pasi po mbështet lëvizjen e rebelëve Huthi në Jemen, si dhe mbështet presidentin sirian Bashar al-Assad në luftën civile në Siri.
Senatori Menendez i tha agjencisë “Reuters” se projektligji ka për qëllim që të bëjë një strategji “rajonale”, për shkak të gjerësisë së aktiviteteve të Iranit në Lindjen e Mesme.
“Projektligji bën thirrje për një strategji rajonale për shkak se Irani, pa dyshim është i përfshirë në mënyra të ndryshme në rajon, qoftë në Jemen, Siri ose dhe më gjerë”, ka thënë ai.

Artikulli paraprakWikiLeaks: CIA mund të ndërhyjë në iPhone
Artikulli tjetër18 vite nga bombardimet kundër Serbisë