Epitafi i një tradhtari

Nga Red VARAKU

Rikthimi i shqiptarëve si faktor i padiskutueshëm në Ballkan ka qenë projekt i pandryshueshëm i SHBA-ve në Ballkan prej gati një shekulli.

Duke filluar me Presidentin Wilson , i cili me veton e SHBA-ve nuk lejoi zhdukjen dhe copëtimin e Shqipërisë, dhe duke vazhduar më pas me rrëzimin e regjimit, i cili pa mbështetjen e SHBA-ve nuk do të mund të realizohej, SHBA-të kanë qenë gjithmonë në krah të shqiptarëve.

Por, përkrahja e tyre kulmoi kur Presidenti Clinton vendosi të sulmojë Serbinë , për të shpallur më pas Kosovën shtet të pavarur, duke i bërë gati gjashtë milion shqiptarë të jetojnë si dy shtete të pavarura në Ballkan, kësisoj jo vetëm duke fuqizuar qartazi rolin e shqiptarëve në Ballkan, por duke i vendosur ata në krye të zhvillimeve gjeopolitike në Ballkan.

Pas gati njëqind viteve dominim të Serbëve, nëpërmjet Jugosllavisë, shqiptarët u rikthyen në Ballkan, si partneri kryesor i ShBA-ve dhe faktori më i rëndësishëm i tyre në rajon.
Kjo ishte një arritje e padiskutueshme e elitës politike shqiptare në të dy anët e kufirit dhe padyshim një arritje që i vendoste shqiptarët në pozita të privilegjuara në raport me popujt e tjerë. Kjo solli zhvillim dhe prosperitet për shqiptarët.

Sigurisht, të vetmit që ndjehen të kërcënuar nga fuqizimi i shqiptarëve, ishin dhe janë serbët. Për faktin e thjeshtë se kështu ata humbasin rolin e tyre në Ballkan, dhe kjo do të thotë edhe dobësim i fuqisë dhe ekonomisë së tyre.

Fatkeqësisht, me ardhjen e Ramës si kryeministër në vitin 2013 të gjitha këto arritje, morën tatëpjetën. Miqësia e dyshimtë e kryeministrit shqiptar me krahun e djathtë të kasapit të shqiptarëve Millosheviç, nën bekimin e Putinit, shënon fillimin e dobësimit të faktorit shqiptar në Ballkan.

Nga 2013, Rama u angazhua në realizimin e një ‘marrëveshjeje’ me Serbinë , e cila i kërkoi shqiptarëve të falin gjak dhe territore në kēmbim të njohjes.

Zhvillimi për ndarjen dhe copëtimin e Kosovës nuk ka pasur kurrë asnjë mbështetje ndërkombëtare, por ka qenë fund e krye një projekt i nxitur nga Rama dhe Vuçiç.

Në thelb, në një perspektivë afatgjatë kjo “marrëveshje“ me Serbinë do të vuloste defaktorizimin e shqiptarëve në Ballkan, duke na rikthyer defacto në vasalë dhe satelitë tē Serbisë.

Sigurisht, ky do të ishte një zhvillim kundër kohës dhe historisë, e cila do të rikthente sërish serbët në krye të Ballkanit.

Një zhvillim që do t’i ‘Bosnjizonte’ shqiptarët, në kuptimin që do t’i kthente në aktorë të izoluar dhe të parëndësishëm në rajon.

Pra, Rama me qëndrimin e tij ndaj Serbisë, nuk ka pasur synim vetëm shitjen e Kosovës, por ka synuar shkatërrimin e aspiratës europiane të mbarë kombit shqiptar, ndaj fundi i tij do të jetë fundi i një tradhtari.

Artikulli paraprakParlamenti Europian paralajmëron se mund të pezullojë buxhetin e BE
Artikulli tjetërJuventus mund ta fitojë titullin edhe pa luajtur