Parlamenti Europian paralajmëron se mund të pezullojë buxhetin e BE

Parlamenti Europian votoi me shumicë votash një rezolutë që kërkon ndryshime në projekt-buxhetin afatgjatë të BE-së, për të cilin kanë rënë dakort 27 vendet anëtare.

Ligjvënësit europianë përmes kësaj rezolute, kanë paralajmëruar se mund të mos e miratojnë buxhetin, duke bërë thirrje për negociata shtesë në mënyrë që ai të “përmirësohet”.

Mocioni kaloi me 465 vota pro, dhe 150 kundër.

Më 21 korrik udhëheqësit e Bashkimit Europian ranë dakord për një paketë të ndihmës ekonomike, në vlerë prej 750 miliardë eurosh, për të ndihmuar vendet në periudhën e pas pandemisë së koronavirusit.

Marrëveshja u arrit në ditën e katërt të bisedimeve në Bruksel, të cilat u përcollën me mospajtime rreth shpërndarjes së fondeve.

Por, Komisioni Europian dhe shumë eurodeputetë u shqetësuan që shumë prej përparësive të tyre në buxhetin shumëvjeçar u shkurtuan dhe disa plane të shpenzimeve u pezulluan.

“Ne mendojmë se ky buxhet nuk është i përshtatshëm për sfidat e shtatë viteve të ardhshme”, tha Manfred Weber, drejtuesi i bllokut parlamentar të qendrës së djathtë në Parlamentin Europian.

Charles Michel,  presidenti i Këshillit Europian, i cili ndihmoi në arritjen e marrëveshjes u kishte kërkuar eurodeputetëve që ta mbështesin atë.

Artikulli paraprak“Paratë e drogës përdoren për blerjen e zgjedhjeve”/ Strazimiri: Edi Rama “punëdhënësi” i organizatave kriminale
Artikulli tjetërEpitafi i një tradhtari