11 të infektuar me Covid-19 brenda familjes në Durrës

Durrësi deri mëngjesin e djeshëm ka raportuar për 14 raste me koronavirus, ndërsa paraditen e sotme Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka bërë të ditur se ka shkuar në 26 raste të dala nga testimet si pozitiv, pra 12 raste më shumë.

Ndërkohëm, mësohet se 11 nga 12 personat e dalë pozitiv janë të të njëjtës familje por fatmirësisht paraqiten në gjendje të stabilizuar.

Ata kanë lidhje me hetimin epidemiologjik të një rasti të një 71-vjeçari të identifikuar dy ditë më parë. Ndërsa rasti i 12-të (në 24 orët e fundit) dhe i 26-ti i regjistruar në Durrës, është rast i ri.

Ka shkuar në 13 numri i viktimave si pasojë e koronavirusit në vendin tonë.

Ky ka qenë lajmi i dhënë nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, e cila njofton se në 24 orët e fundit janë kryer 145 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitive 20 raste të reja. Kjo e çon numrin e rasteve totale pozitive në 243.

Viktima e 13-të është një pacient 62-vjeçar nga Durrësi, i cili ka pasur sëmundje shoqëruese, dhe ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm.

Ministria njofton se në shërbimin infektiv aktualisht janë 77 të shtruar, 8 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 3 nga këta janë të intubuar. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente, ndërkohë në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi” kemi një pacient të shtruar.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:

– Tiranë 129 raste
– Durrës 26 raste
– Lushnje 4 raste
– Elbasan 5 raste
– Fier 23 raste
– Kavajë 4 raste
– Rrogozhinë 2 raste
– Korçë 15 raste
– Vlorë 5 raste
– Shkodër 8 raste
– Lezhë 5 raste
– Berat 1 rast
– Has 2 raste
– Krujë 5 raste
-Tropojë 4 raste
– Pukë 3 raste
– Mirditë 2 raste

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet edhe një herë me një lutje qytetarëve: Respektoni masat e distancimit social sepse vetëm kështu mund ta përballojmë këtë sfidë! Ministria e Shëndetësisë apelon qytetarët të telefonojnë në numrin 127 të urgjencës kombëtare nëse dyshojnë se kanë shenja të COVID-19.

Artikulli paraprakBasha apel qeverisë: Masat kufizuese duhet të shoqërohen me masa lehtësuese për të gjithë
Artikulli tjetërThirrja e Bashës: Transparencë për kapacitetet për testim. Mostestimi zhvlerëson sakrificën