10 muaj pas tërmetit, banorët e Thumanës ende në qiell të hapur: Duam një copë bukë, asgjë më tepër…

Pasojat e tërmetit të fuqishëm të 26 Nëntorit 2019 vazhdojnë të ndihen për disa familje shqiptare. Gazetari i Fax News, Fatjon Gjinaj ka intervistuar kryefamiljarin Arben Muca, i cili jeton me nusen e sëmurë tek shtëpia e djalit, të cilin e ka në Itali. Jetesa për të është tepër e vështirë pasi nusja ka probleme shëndetësore, ndërkohë që duhet të paguajë kredinë.

Për këtë ndihmohet nga nëna e tij që heq para nga pensioni për të ndihmuar të birin.

“Nusen e kam shumë sëmurë. Vetë jam krah pune. Djalin e kam në Itali. Unë jam në qiell të hapur, kërkoj ndihmë. Gruaja vuan nga hernia fiskale dhe stomaku. Kam marrë kredi 6 milionë lekë. Njëherë më kanë sekuestruar, tani më bëjnë presion cdo ditë. Më ka dhënë nëna nga 50 mijë lekë në muaj që ti heq se nuk dua të kem probleme. Prandaj kërkojmë ndihmë, drejtësi.

Banesën e re më kanë thënë që do përfitosh, do marrësh shtëpinë. Jetoj tek shtëpia e djalit. Një dhomë e kam bërë që jetoj brenda, por kam frikë se e tërheq tjetra. Jetoj që në janar se nuk pata lekë të paguaj qeranë në Mamurras, mora gruan thashë hajde jetojmë në cadër. Tërmetet po na godasin cdo ditë. Djali në Itali, është pa punë tek vëllai. Asnjë të ardhur nuk kam. E përballoj jetesën vetëm me krahët e mi. Kur kam punë dal e punoj. Kam bërë kërkesa në komunën e Thumanës dhe nuk janë marrë parasysh fare. Më kanë thënë që nuk më takon. Nuk kërkoj salltanete, po djersën time, një copë bukë. Nuk kërkoj gjë tjetër.”

Ndërsa Arjan Lleshaj jeton vetëm me pensionin e nënës së sëmurë, tek shtëpia e vëllait dhe pret nga shteti që ti japë shtëpinë që i kanë premtuar.

“Jetojmë me pensionin e nënës. Shteti të na ndihmojë me ndonjë bonos qeraje, të na ndihmojë me ato shtëpia që na kanë premtuar. Kam punuar më parë Itali, Greqi. Kam pasur probleme, sëmundlliqe, babai më ka vdekur vjet. Nëna është sëmurë”, tha Lleshaj.

Edhe Arben Allushi është vetë i pesti në familje, i cili nuk ka të ardhura për të rritur fëmijët, por nuk merr asnjë ndihmë sociale. Fati i ka buzëqeshur sado pak ditët e fundit. Teksa pret që të ndërtohet banesa e shkatërruar nga tërmeti, ka gjetur punë në firmë ndërtimi ndërsa gruan e ka punësuar në fasoneri.

“Nga data 26 nëntor jetoj vetë në cadër me gruan dhe tre kalamajtë. Banesa na thonë do i bëjmë në zonën e përcaktuar nga shteti. Deri me 20 dhjetor na kanë thënë e fundit për tu ndërtuar. Marr 20 mijë lekë të reja bonus. Ndihmë sociale fare. Fëmijët 14, djali, 13 vajza dhe vajza tjetër 8 vjeç. Gruan tani e kam futur në punë në Krujë, fasoneri. Deri tani unë pa punë, tani jam futur firma e ndërimit të banesave të dëmtuara”, tha Arben Allushi.

Artikulli paraprakVideo/ Pas publikimit të pamjeve nga Berisha, policia pranon atentatin ndaj një familje
Artikulli tjetërShkolla e pandërtuar në Pezë Helmes, Zhupa i përgjigjet bashkisë: Veliaj gënjen duke hedhur fajin tek BE dhe UNDP