Zidane kategorik: Nuk ka më kthim mbrapa

Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, nuk e bëri dramë humbjen e së dielës në Girona. Skuadra e tij u mposht 2-1 me përmbysje nga katalanasit dhe, si për huq, vetëm pak ditë pas shpalljes së pavarësisë së Katalonjës, por ai iu shmang plotësisht pyetjeve politike, duke u marrë vetëm me rezultatin dhe lojën.
“Humbëm tri pikët që donim dhe jemi tetë pikë larg Barcelonës. Gjithsesi, sezoni është i gjatë. E dimë se do të kemi edhe në ditë të mira dhe do të kthehemi aty ku duhet. Në futboll zakonisht vendosin detajet. Këtë nuk e kishim planifikuar, por tashmë nuk ka më kthim pas dhe duhet të shohim vetëm përpara”, u shpreh trajneri francez.
“I ngacmuar” për lojën plot mangësi të Cristiano Ronaldos me shokë, Zidane kundërshtoi fuqimisht duke mbrojtur djemtë e tij. “Mos thoni se, Real Madridi luajti keq. Lojtarët e mi dhanë gjithçka në fushë dhe jam krenar për ta. Do ta kalojmë këtë disfatë”.
Casemiro kërkon nga lojtarët që të mësojnë nga humbja kundër Gironës dhe të punojnë më shumë për të gjetur rezultatet pozitive. “Të gjithë jemi të brengosur. Jemi më të mirë se rivalët, por duhet të luajmë me kokë. Është moment shumë i vështirë, por duhet të jemi të qetë, kemi ende mundësi. Duhet të punojmë më shumë dhe të luajmë më mirë”, tha Casemiro.
Real Madridi ka pësuar humbjen e dytë këtë edicion në La Liga pas vetëm 10 xhirove. Los Blancos tani janë mposhtur 2:1 nga ekipi katalunas, Girona. Ekipi i Zinedine Zidane e nisi mirë takimin duke kaluar në epërsi me golin e Iscos në minutën e 12’të, por vendasit përmbysën gjithçka brenda pak minutave në pjesën e dytë.
Fillimisht Cristian Stuani barazoi rezultatin në 1:1 në minutën e 54’, ndërsa Cristian Portu kaloi në epërsi vendasit katër minuta më vonë për rezultatin 2:1, që doli të ishte përfundimtar pavarësisht tentimeve të vazhdueshme të mysafirëve. Kjo ishte humbja e dytë e Real Madridit këtë edicion, që e lë tani tetë pikë prapa Barcelonës.

Artikulli paraprakWerder Bremeni shkarkon trajnerin Nouri
Artikulli tjetërDrama e pensioneve: Shteti nuk paguan sigurimet