Zgjedhjet në Kosovë më 11 qershor

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, vendosi të enjten që zgjedhjet e parakohshme të mbahen më 11 qershor.
Vendimi u mor një ditë pas rënies së qeverisë së Kosovës dhe vendimit të presidentit për shpërbërjen e Parlamentit.
Data u caktua pas një takimi të presidentit Thaçi me përfaqësuesit e partive politike.
Takimi u bojkotua nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila fajëson Partinë Demokratike për votimin e mocionit të opozitës për rrëzimin e qeverisë. Lidhja Demokratike thotë se, Partia Demokratike ka prishur marrëveshjen dhe me këtë “marrëveshja e koalicionit bie në tërësi dhe LDK-ja nuk e njeh asnjë pikë të saj dhe asnjë rezultat politik të saj”.
Rezultat i kësaj marrëveshjeje ishte edhe zgjedhja e zotit Thaçi në postin e presidentit të Kosovës.
Shpërbërja e qeverisë së Kosovës pasoi pamundësinë e koalicionit qeverisës për të çuar përpara marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi, çështje kjo që ka nxitur mospajtime të thella në Kosovë që çuan në krizë politike. Skena të dhunshme në Parlament dhe jashtë tij kanë përcjellë debatet rreth kësaj marrëveshjeje, e cila në shtator të vitit të kaluar u tërhoq nga qeveria e Kosovës për shkak të mungesë së votave të mjaftueshme.

Artikulli paraprakBaloteli fitoi miliona se nuk mori të kuqe
Artikulli tjetërMattis: SHBA qëndron në krah të Turqisë