Zgjedhjet dhe sulmet kibernetike në SHBA

Ekspertë amerikanë të sigurisë kibernetike thonë se dyshohet se hakerat e huaj, të cilët kohët e fundit sulmuan sistemet kompjuterike të Partisë Demokratike mund të bëjnë diçka edhe më të keqe në të ardhmen.
Ekspertë kibernetike i thanë programit “Hashtag” të “Zërit të Amerikës” këtë javë, se sistemet elektronike të SHBA ka të ngjarë të jenë mes objektivave të ardhshme të piraterisë kompjuterike.
Kur WikiLeaks botoi e-mail-et e komitetit kombëtar demokrat, muajin e kaluar, këto shkaktuan shqetësime për partinë, duke detyruar ligjvënësen Debbie Wasserman Schultz të linte pozitën e saj si drejtuese e Kuvendit të Demokratëve.
Analisti kibernetik, Richard Forno thotë se hakerat e huaj mund të kenë arritur qëllimet politike dhe tani synojnë t’i shkallëzojnë sulmet e tyre drejt sistemit elektronik të votimit në zgjedhjet e nëntorit.
Një studim më 2015 nga Universiteti i New York zbuloi se 43 nga 50 shtetet amerikane kanë pajisje të vjetëruara votimit.
Një prej ekspertëve, Toni Gidwani, drejtoreshë e kërkimeve në ThreatConnect për mbrojtjen kibernetike thotë se ekziston mundësia e sulmeve ndaj sistemeve të votimit.
“Ne pamë në Ukrainë në vitin 2014, kur tre ditë para zgjedhjeve, komisioni zgjedhor ukrainas u ndesh me probleme pasi zbuloi se hakerët kishin hyrë për të manipuluar rezultatin ku një kandidat ultranacionalist, i cili në realitet mori më pak se 1 për qind të votave, do të kishte fituar. Pra, kjo nuk është fantashkencë”, thotë ekspertja.
Yong-Gon Chon, një tjetër ekspert kibernetik, thotë se çdo organizatë që kërkon për të mbrojtur veten nga hakerat duhet ta përdorë me efektivitet të gjithë personelin e vet.
“Mbrojtja kibernetike nuk është më vetëm përgjegjësi e një zyrtari të lartë sigurie për të mbrojtur infrastrukturën e një organizate – të gjithë kanë një rol për të luajtur”, thotë zoti Chon, i cili rekomandon se kur merrni një e-mail të dyshimtë, para se ta hapni, ju duhet të vendosni nëse vlen ose jo për biznesin tuaj.

Artikulli paraprakÇështja e luftës në Libi dhe rikthimi i Rusisë si superfuqi
Artikulli tjetërDeklaratat e Trump provokojnë përplasje