Zëvendëskryeministrja me Llallën për zgjedhjet

Zëvendëskryeministrja Ledina Mandia zhvilloi dje një takim me prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Në këtë takim, Mandia bisedoi me prokurorin e Përgjithshëm për një bashkëpunim maksimal në ndjekjen me përparësi dhe hetimin e rasteve abuzive, të cilat dëmtojnë procesin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, duke i kërkuar që kjo të formalizohet dhe përmes një marrëveshje bashkëpunimi ndërinstitucionale mes Këshillit të Ministrave, Prokurorisë, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, njoftojnë burime zyrtare nga Kryeministria. Gjatë bashkëbisedimit, zv/kryeministrja nënvizoi rëndësinë e rolit të organit të Prokurorisë, në hetimin e rasteve të përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për vitin 2017. Ajo i kërkoi prokurorit të Përgjithshëm në mënyrë specifike që të hetohet në drejtim të rasteve të përdorimit të burimeve të siguruara nga veprimtaritë e paligjshme. Prokurori i Përgjithshëm, shprehu vullnetin dhe angazhim maksimal, si dhe është dakordësuar për formalizimin e një marrëveshje bashkëpunimi ndërinstitucional. Më parë, zv/kryeministrja ka realizuar takime edhe me kryetarin e KQZ-së dhe komisionerin e Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil me të cilët është rënë dakord për një marrëveshje bashkëpunimi ndërinstitucionale, e cila pritet të nënshkruhet së shpejti.

Artikulli paraprakShkodranët në këmbë me Bashën
Artikulli tjetërDy fëmijë amerikanë të zhdukur prej dy ditësh