Zëri i Amerikës për protestën: Bomba Molotov kundër Kryeministrisë

Në Tiranë ka nisur me tensione protesta e opozitës përpara selisë së Qeverisë, e 12-ta në radhë që nga 16 Shkurti kur Partia Demokratike, Lëvizja socialiste për Integrim dhe aleatët e së djathtës u larguan nga parlamenti duke hequr dorë nga mandatet e deputetëve të tyre.

Tymuese dhe qeska me bojë nisën të hidheshin drejt dritareve te ndërtesës që në momentet e para.Ato u pasuan nga shishe të shumta Molotov, jo vetëm drejt portës qendrore të Kryeministrisë por dhe drejt godinës përballë të Parlamentit.

Mësohet se afër 1500 forca të policisë janë angazhuar për manifestimin e sotëm. E gjithë zona rreth godinës së Kryeministrisë është e rrethuar me një gardh metalik sikurse dhe rrugët anësore që të çojnë drejt saj.

Një grup manifestuesish arritën të çajnë gardhin e policisë përballë hyrjes kryesore, ndërkohë që dret saj nuk rreshtnin hedhjet e shisheve Molotov. Policia ju drejtua me thirje të njëpasnjëshme që të largohen dhe më pas përdori gazin lotsjellës. Zoti Basha i cili në ato momento po mbante fjalën e tij, e ndërpreu atë për disa minuta derisa situate u qetësua përkohësisht.

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj reagoi përmes një statusi në Tëitter. “Me Molotov nuk ndërtohet demokracia, por synohet të shkatërrohet Shqipëria. Por kjo gjë është e pamundur! Ftoj qytetarët e përgjegjshëm të distancohen nga sulmi ndaj institucioneve. Askush nuk mund ta djegë Shqipërinë përsëri!”, shkruan zoti Lleshaj.

Për situatën e krijuar ndërhyri dhe presidenti Ilir Meta. “Jam duke ndjekur me shumë shqetësim protestën e opozitës dhe u kërkoj të gjithëve të ruajnë qetësinë, të evitojnë aktet e dhunës dhe konfrontimet, që mund të shkaktojnë lëndime në njerëz dhe dëme ndaj institucioneve”, shkruan kreu i Shtetit.

Opozita kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie kalimtare që të garantojë organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ajo ka vendosur të bojkotojë dhe zgjedhjet vendore të 30 Qershorit, duke kërcënuar se nuk do të lejojë mbajtjen e tyre. “12 javë pas nisjes së kësaj beteje jua them me gojën plot se gjysma e punës është kryer:

Shqipëria do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, Shqipëria do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Gjysma tjetër e punës do kryer akoma”, deklaroi dje gjatë një takimi me mbështetësit e partisë së tij kryetari demokrat Lulzim Basha, i cili i ka paraprirë protestës së sotme me një tur në shumë qytete të vendit.

Nga ana e saj shumica ka përsëritur se “zgjedhjet vendore do të zhvillohen në datën e caktuar dhe më 30 Qershor qytetarët do të zgjedhin kryebashkiakët e tyre”, ripërsëriti pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama.

Artikulli paraprakKapet një nga spiunët e Ramës në protestë, ja si e pëson…
Artikulli tjetërWashington Post nga Tirana: Kërkohet largimi i qeverisë me bomba molotov