Zëri i Amerikës: ODIHR kërkon nisjen e punës për Zgjedhoren, grupi Berisha-Bardhi merren me emrat në komision

Kuvendi në Tiranë njoftoi mbledhjen e komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore të premten në mëngjes, ku parashikohet rifillimi i punës me një kalendar dhe me një planveprim dhe kalendar të punimeve.

Kjo është përpjekja e dytë për të organizuar këtë mbledhje pas bllokimit të sallës që shkaktuan të premten e kaluar grupime të deputetëve opozitarë, duke kundërshtuar përfaqësimin e tyre prej bashkëkryetarit demokrat Enkelejd Alibeaj.

Misioni i OSBE/ODIHR-it u bëri thirrje gjithë partive të angazhohen për konsultime të hapura dhe gjithëpërfshirëse në mënyrë që të përmirësohet procesi zgjedhor.

Në një deklaratë publike Misioni theksoi se ODIHR ka marrë një ftesë nga parlamenti shqiptar për të mbështetur autoritetet kombëtare dhe ka ofruar mbështetje dhe ekspertizë teknike për të çuar përpara procesin e reformës.

Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) deklaroi se nisma e autoriteteve shqiptare për të rifilluar reformën zgjedhore përpara zgjedhjeve parlamentare të 2025-ës është një zhvillim i rëndësishëm dhe pozitiv.

Drejtori i ODIHR-it Matteo Mecacci pohoi se mirëpriste vendimin e autoriteteve shqiptare për të ripërtërirë angazhimin ndaj këtyre reformave përpara zgjedhjeve.

Në deklaratë cilësohet si e një rëndësie vendimtare vendosja e objektivave praktike dhe realisht të arritshme të fokusuara tek rekomandimet e mëparshme të ODIHR-it si dhe trajtimin e mangësive të vërejtura në zgjedhjet e kaluara në përputhje me standardet ndërkombëtare.

“Përparësitë kryesore janë parandalimi i keqpërdorimit të burimeve publike dhe blerja e votave, sigurimi i fshehtësisë së votës, mbrojtja e lirisë së medias dhe rritja e efektivitetit të administratës zgjedhore”, theksohet në deklaratën e OSBE/ODIHR-it.

Sipas raportit të fundit të ODIHR-it, tre rekomandime të kësaj Zyre pas zgjedhjeve vendore 2019 dhe zgjedhjeve parlamentare të 2021 janë zbatuar plotësisht, shtatë të tjera kryesisht dhe 16 të zbatuara pjesërisht, ndërsa të tjerat mbeten ende për t’u adresuar.

Por njoftimi i Kuvendit për një mbledhje të premten riktheu polemikat mes grupeve brenda Partisë Demokratike, të cilët shohin me dyshim përfshirjen e njëri tjetrit në këtë proces.

Grupet e deputetëve që mbështesin ish kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin e grupit Gazment Bardhi vendosën sot që të ridërgojnë në Kuvend emrat e përfaqësuesve të tyre si pjesëtarë të komisionit dypalësh, në përpjekje për të larguar bashkëkryetarin Alibeaj.

Zoti Bardhi deklaroi pas një mbledhje të grupit parlamentar që pas 22 muajsh bllokimi të qëllimshëm të reformës zgjedhore, komisioni nuk mund të vazhdojë këtë farsë për reformë të njëanshme, dhe nuk do të lejohet zhvillimi i këtyre mbledhjeve si fasada.

“Nga maji 2022 ne i kemi besuar për një kohë shumë të gjatë kolegut Enkelejd Alibeaj për të përfaqësuar në komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore si bashkëdrejtues, por ajo reformë nuk u çua përpara, nuk u bë asnjë punë, asnjë produkt”, tha zoti Bardhi.

Ai theksoi se diskutimi duhet të nisë aty ku u ndërpre; tek heqja që kryeministri Rama u bëri koalicioneve zgjedhore.

Por kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, reagoi përmes rrjeteve sociale, duke vlerësuar qëndrimin e OSBE/ODIHR për fillimin e menjëhershëm të punës për reformën zgjedhore.

“I bëj thirrje të gjitha palëve të ndalin lojërat politike për interesa vetjake dhe të nisim punën gjithpërfshirëse për t’u dhënë shqiptarëve një reformë zgjedhore në përputhje me pritshmëritë dhe aspiratat e tyre”, theksoi zoti Basha.

Ndërsa bashkëkryetari i komisionit dypalësh të reformës zgjedhore, Enkelejd Alibeaj, komentoi se komisioni nuk është vendi për shoë politik, dhe se rregullat nuk ndryshojnë sa herë që ndonjë deputet ndryshon qëndrim.

Ai kujtoi propozimet e Partisë Demokratike për lista të hapura, Shqipëria një zonë zgjedhore, për votën e diasporë si dhe votim e numërim elektronik.

“Në komision çdo parti dhe fluks opozitar është i mirëpërfaqësuar, me kërkesë të Partisë Demokratike. Secili ka të drejtë dhe detyrim të marrë pjesë, të ulet, të punojmë e të bëjmë propozime opozitare bashkë”, theksoi zoti Alibeaj.

Socialistët nga ana e tyre kanë shprehur vullnetin për të rinisur punën me komisionin e reformës zgjedhore. Një javë më parë ata nuk mundën të uleshin në karriget e tyre, që u bllokuan nga deputetët e djathtë, duke theksuar se janë gati të diskutojnë kur të vijnë opozitarët.

Tensionit të këtyre ngjarjeve iu shtua edhe një deklaratë e kryeministrit Edi Rama, që nëse opozitarët mungojnë në komisionin e reformës, shumica mund ta kryejë vet reformën zgjedhore bazuar në propozimet e vëzhguesve ndërkombëtarë.

Artikulli paraprakOpozita e errësirës në kërkim të spiunit!
Artikulli tjetërU la në ‘arrest shtëpie’, zbardhet vendimi i Apelit të GJKKO për Berishën