Zbardhet borxhi i vërtetë i ARMO, 200 milionë dollarë te tatimet

Pasi është mbajtur e fshehtë për vite, është zbardhur më në fund borxhi që shoqëria e përpunimit të naftës ARMO ka ndaj tatimeve. Shifra nuk është publikuar as nga institucionet shtetërore e as nga vetë kompania, por nga një shoqëri përmbarimore, e cila ka nxjerrë në shitje pronat e ARMO-s për llogari të tri kreditorëve. Sipas dokumenteve të kompanisë përmbarimore, detyrimet e papaguara tatimore të ARMO-s janë 200 milionë dollarë dhe jo 50 milionë dollarë, siç është raportuar gjatë këtyre viteve. “Për Drejtorinë Rajonale të Tatimpaguesve rezulton detyrim i pashlyer në vlerën 21,723,595,114 lekë”, thekson kompania përmbarimore. Shoqëria përmbarimore raporton gjithashtu edhe një shifër më të madhe borxhi të ARMO-s ndaj Albpetrol, e cila nuk është 30 milionë dollarë, siç raportojnë institucionet shtetërore, por 5.1 miliardë lekë, afërisht 50 milionë dollarë. Deri tani, borxhi i ARMO-s, vlerësohej në rreth 250 milionë dollarë, 200 milionë ndaj bankave dhe 50 milionë ndaj tatimeve. Me detyrimet e reja ndaj tatimeve e Albpetrol, ky borxh i afrohet shifrës 500 milionë dollarë. Në muajt e fundit të vitit të shkuar, qeveria ia kaloi ARMO-n kompanisë Ionian Refining dhe Trading Company me qëllim riaktivizimin e saj. U pretendua se IRTC, arriti të gjejë gjuhën e përbashkët me bankat kreditore të ARMO-s, si dhe punonjësve të saj për rifillimin e punës nga 1 shtatori.
Por, po gjatë këtyre muajve disa zyra përmbarimore u vërsulën për bllokimin apo ekzekutimin e llogarive dhe pasurive të kompanisë për llogari të kreditorëve të saj, ndërkohë që u shënua edhe një aksident i rëndë ku gjeti vdekjen një prej punonjësve. Praktikisht u shitën në ankande të gjitha pronat e ARMO-s, përfshirë dy rafineritë dhe pronat e saj në Vlorë, të cilat u blenë nga vetë IRTC. Ndërkaq Ionian Refining dhe Trading Company, ka vazhduar punën gjatë gjithë këtyre muajve. Kompania është themeluar nga një shoqëri e regjistruar në Ishujt Virxhin britanikë, e njohur si parajsë fiskale. Përfaqësues ligjor i degës shqiptare rezulton Taulant Musabelliu, ndërsa i kompanisë mëmë Ali Hasan Rahman.

Artikulli paraprakBrenda 2 muajve gjobiten 25 karburante
Artikulli tjetërBerisha takon kampionin e botës në pesha të rënda