Zagani u dënua në fshehtësi me vendim partie

Ish-shefi i Antidrogës në Policinë e Fierit dhe të Vlorës, Dritan Zagani bën një postim pas deklaratës së kreut të Grupit parlamentar në Partinë Socialiste, Taulant Balla. Në postimin në Facebook, Zagani shkruan se, është hera e parë që ai dëgjon se, është dënuar nga Gjykata me vendim të formës së prerë. Zagani shkruan se as ai dhe as avokati i tij nuk kanë qenë vënë në dijeni për këtë dënim. “Surprizat nuk paskan fund në këto ditët e fund-Tetorit…mbas shumë shpifjeve që dëgjova filluar nga lideri global deri te lehësi politik Taotao, më në fund mësoj se qenka gjetur zgjidhja që unë të dal i dënuar nga Gjykata me një vendim të formës së prerë”, shkruan Zagani.
Zagani shkruan më tej se, sot e ka mësuar që qenka dënuar me burg nga “Rilindja”. “Sot mësova, falë këmbënguljes së “Rilindjes”, se unë jam dënuar me 3 vjet burg për largim nga vendi i vuajtjes së dënimit që ka qenë banesa ime dhe e familjes time, dhe surpriza nuk ishte kjo se e prisja diçka të tillë herët a vonë që të ballafaqohem si fakt në gjyqe, por ishte se unë deri në këtë moment po ashtu as avokati im nuk ka qenë informuar mbi faktin, lëre pastaj që na paska dhe një vendim të formës së prerë. Pra, me pak fjalë “drejtësia” paska folur për mua dhe falë “Rilindjes” e mësoj dhe unë këtë gjë. Unë nuk besoj se ka njeri të gjallë me njohjet më minimale për ligjshmërinë që të mos kuptojë këtë handikap ligjor që vetëm në vendin tonë të dashur e gjen me bollëk”, shkruan Zagani.
Më tej, Zagani shkruan se kjo është drejtësia në kohën e “Rilindjes” së liderit global. “Surpriza tjetër dhe më e bukura është se në të njëjtën kohë që unë kam avokatin tim që po më ndjek çështjet e mia ligjore, ku theksoj as nuk e ka idenë e këtij vendimi surprizë, përsëri Gjykata më paska caktuar një avokat kryesisht që kuptohet nuk e ka pasur të mundur të më vejë në dijeni mbi këtë fakt… Sa për të qeshur dhe aq për të qarë,,, Drejtësi në kohën e “Rilindjes” së liderit global. Pra shteti im nuk e ka të mundur të më njoftojë konform ligjeve në fuqi si shtetas i Republikës as kur unë e kam njoftuar publikisht se kush është avokati im ligjor, apo edhe largimin tim jashtë vendit për të mbrojtur jetën e familjes dhe timen bashkë nga këta trafikantë me pushtet, dhe më e bukura se deri tek Prokurori i Përgjithshëm i kam vënë në dijeni të faktit se unë momentalisht jam detyruar të largohem megjithë familje për të siguruar jetën e familjes dhe nuk ndodhem në banesën time, por siç duket as të njoftosh Prokurorin e Përgjithshëm s’paska ndonjë vlerë ligjore.
Zagani thotë se po ndjek rrugën ligjore për vënien e drejtësisë. “Gjithsesi unë sapo u njoftova me këtë vendim menjëherë jam kontaktuar me studion ligjore Aga&Goxhaj Laë Firm, dhe që nesër në mëngjes do filloi aksioni legal për vënien e drejtësisë dhe zbatimin e ligjeve të shtetit. Gjithsesi falenderoj “Rilindjen” dhe falangat e saj që më njoftuan mbi të fshehtat e vërteta”, përfundon Zagani.
Zagani denoncoi para dy vitesh lidhjet e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri me Habilajt në trafikun e drogës drejt Italisë dhe Greqisë. Zagani, në atë kohë ishte shef i Antidrogës në Policinë e Fierit dhe gjatë hetimeve kishte zbuluar se vëllezërit Habilaj trafikonin drogë drejt Italisë e Greqisë me makinën e Tahirit. Në disa raste, Zagani kishte zbuluar edhe sasi droge të grumbulluar nga Habilajt gati për ta trafikuar jashtë shtetit. Por pas raportit që Zagani kishte dërguar tek eprorët e tij në Ministrinë e Brendshme, droga ishte zhdukur nga vendi i grumbullimit. Menjëherë pas këtyre informacione të mbërritura në Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, Tahiri liroi nga detyra Zaganin dhe e paditi për nxjerrje informacioni.
Ja çfarë shkruhej vetëm një vit më parë në një nga gazetat italiane për lidhjet e Tahirit me narkotrafikun: “Përfshirja e Saimir Tahirit në trafikun e drogës (me avionë të vegjël) u denoncua nga Dritan Zagani, një ish-shef i Antidrogës i larguar nga Shqipëria, pasi kishte hetuar mbi këto fluturime. Sipas Zaganit, që është akuzuar për shitje të informacioneve hetuesve italianë te Guardia di Finanza, kushërinjtë e ministrit, për të fshehur ngarkesat me drogë përdornin edhe “makina shtetërore”.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërHabilajt përdornin edhe ambulancat për transportin e drogës!