Yee: Marrëveshja është vetëm në të mirë të vendit

Zv/ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee përshëndeti marrëveshjen mes mazhorancës dhe opozitës që i dha fund krizës politike në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një pakt, në shërbim të interesit më të mirë të vendit. Në një intervistë nga Beogradi, ai tha se kjo marrëveshje është vetëm në të mirë të vendit. Zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit foli nga Beogradi në një intervistë për portalin “European Western Balkans” dhe agjencinë serbe Tanjug. Hoyt Brian Yee, Zv/Ndihmës “Suksesi i takon liderëve, që mundën të merrnin vendime të vështira… opozitës shqiptare që mori vendimin e guximshëm për të hequr dorë nga pozicioni i saj dhe pranoi të merrte pjesë në zgjedhjet që do të shtyheshin… por edhe qeverisë, kryeministrit Edi Rama që gjeti rrugën e nevojshme për të bindur opozitën të kthehet. Mbi të gjitha, kjo ishte në dobi për vetë Shqipërinë dhe situatën në vend”. Deklarata e zyrtarit të Departamentit amerikan të Shtetit ishte në përgjigje të pyetjes së gazetarëve se me ndërhyrjen e drejtpërdrejtë për t’i dhënë fund bllokadës politike në Shqipëri dhe Maqedoni, Uashingtoni tregoi se kishte më tepër influencë në rajon. Ai tha se të gjitha vendimet që merren për rajonin janë të koordinuara me Bashkimin Europian, pasi të dyja palët punojnë për të njëjtin qëllim. Zyrtari i lartë amerikan ka hedhur poshtë pretendimet për Shqipërinë e Madhe, ndërsa tha se ka vetëm një synim të përbashkë të vendeve të Ballkanit, ai është integrimi në Bashkimin Europian. “Së pari, unë nuk besoj se ka ndonjë lëvizje serioze për Shqipërinë e Madhe apo ndonjë dëshirë të shqiptarëve etnikë kudo ku ka popullsi shqiptare në Maqedoni, Mal të Zi apo Shqipëri, për t’u bashkuar dhe për t’u kthyer në një vend të ri, në një lëvizje ose në një forcë në Ballkanin Perëndimor. Politika zyrtare dhe unë besoj se politika e sinqertë e partive politike në Maqedoni, Mal të Zi, Kosovë dhe Shqipëri është integrimi në Bashkimin Evropian, hyrja në NATO, kur është e mundur si pjesë e vendit ku bëjnë pjesë dhe jo ndryshimi i kufijve, jo si një entitet shumëkombësh, por duke ruajtur sovranitetin e kufijve të vendeve të tyre. Unë e di se ka pasur disa retorika, ne besojmë se janë retorika të papërgjegjshme dhe provokuese nga disa politikanë në rajon, të cilat nuk kanë qenë konstruktive dhe kanë ngritur dyshime. Ne e kuptojmë që, sidomos gjatë fushatës zgjedhore, ka disa parulla dhe deklarata të cilat mund të nxirren jashtë kontekstit të fushatës elektorale. Kjo jo për t’i justifikuar ato apo për t’i falur. Ne sigurisht kemi ngritur zërin kundër kësaj retorike, si privatisht ashtu edhe publikisht. Gjithashtu, do të thoja se është e rëndësishme të reagohet, dhe fjalët e politikanëve të mos merren shabllon, sidomos gjatë fushatave zgjedhore”, shprehet ai. Yee ka theksuar se, ajo çfarë është e rëndësishme për të gjitha vendet është të respektohet sovraniteti i vendeve fqinje, ndaj dhe ai vuri theksin tek angazhimi i këtyre vendeve që të punohet bashkarisht për të zgjidhur çdo keqkuptim ose konflikt të mundshëm përmes dialogut dhe bashkëpunimit dhe jo të reagohet menjëherë përmes medias. “Kryesisht, besimi jonë është se qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë një dëshirë të pastër për të lëvizur drejt integrimit në Evropë, shumë nga këto vende dhe në NATO. Të gjithë kryetarët e shteteve e kuptojnë se, kjo nuk do të ndodhë përmes ndryshimit të kufijve. Ndryshimi i kufijve do të ishte rrezik për kthimin mbrapa të çdo përpjekje, kombëtare ose jo, për të hyrë në Bashkimin Evropian”, është shprehur zyrtari i lartë europian.

Kujdes ndaj qasjes ruse në Ballkan

Zëvendës/ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee, tha të mërkurën në Beograd se, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë të pranishme në Ballkanin perëndimor për të mbështetur rrugën evropiane të vendeve të rajonit, ndërsa do të ndjekin me vëmendje qasjen e Rusisë në atë zonë. Pas takimit me presidentin e zgjedhur të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ai tha se Shtetet e Bashkuara do të mbrojnë fuqishëm interesat e tyre dhe të aleatëve. “E dimë nga përvoja se, synimet prapa shumë veprimeve ruse nuk janë të mira dhe nuk janë në interes të vendeve të rajonit”, tha ai, duke përmendur ngjarjet e tetorit të vitit të kaluar në Mal të Zi, kur autoritetet në Podgoricë thanë se rusët ishin përfshirë në një përpjekje për grusht shteti, pjesë e orvatjeve për të penguar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. “Shpresojmë se Rusia do të luajë një rol konstruktiv në Ballkan, siç ka bërë në të kaluarën. Por duhet të jemi syçelë. Kudo që është e mundur, Shtetet e Bashkuara do të bashkëpunojnë me Rusinë, por atje ku ndeshen interesat, vlerat dhe synimet tona, do t’i mbrojmë fuqishëm interesat amerikane sikurse edhe interesat e aleatëve dhe partnerëve tanë”, tha ai. Zyrtari amerikan tha se, politika amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor nuk ka ndryshuar pas zgjedhjes së Presidentit Donald Tramp, dhe se ajo mbështetet mbi interesat amerikane që kanë të bëjnë me sigurinë dhe demokracinë. “Bashkëpunimi konkret në ekonomi, siguri, luftë kundër krimit dhe terrorizmit, mund të jetë edhe më i fuqishëm. Duhet të vazhdojnë përpjekjet edhe për zgjidhjen e mospajtimeve dhe zhvillimin e lidhjeve më të mira ndërmjet fqinjëve. Kur bëhet fjalë për Serbinë, kemi biseduar për vazhdimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Shtetet e Bashkuara janë shumë të kënaqura që po e ndihmojnë këtë proces si dhe bashkëpunimin dhe pajtimin ndërmjet shteteve të rajonit”, tha zoti Hoyt Brian Yee.

Artikulli paraprakNjë portret i autorit të sulmit në Mançester
Artikulli tjetërDenoncime në Korçë dhe Delvinë për blerje votash