Xhaka: Do ta mposhtim Portugalinë

Granit Xhaka beson se Zvicra ka potencial ta mposhtë Portugalinë e Cristiano Ronaldos. Zvicra e shqiptarëve do të zhvillojë dy ndeshje të rëndësishme ndaj Hungarisë më 7 tetor dhe ndaj Portugalisë më 10 tetor. Ndeshja ndërmjet kampiones në fuqi të Evropës, Portugalisë dhe Zvicrës, që luhet në Lisbonë, është e fundit e ciklit eliminator për Rusia 2018 dhe pritet të vendosë për lideren e grupit, e cila siguron direkt pjesëmarrjen në Botëror.
Zvicra aktualisht mban vendin e parë me 24 pikë, ka fituar të gjitha ndeshjet, kurse Portugalia është e dyta me 21 pikë në Grupin B. “Pse duhet të fitojë Zvicra? Sepse ne kemi mjaft klas dhe vetëbesim në ekip. Ne kemi respekt, natyrisht, por nuk kemi frikë nga kampioni i Evropës”, ka deklaruar Xhaka për “Blick”.
Në ndeshjen e parë Zvicra e kishte mposhtur Portugalinë, e cila ishte pa yllin e saj, Cristiano Ronaldon. “Do të jetë një lojë e ndryshme sesa në ndeshjen e parë. Nëse e humbisni ndeshjen tuaj të parë si kampion evropian, ju e dini se çfarë do të ndodhë me ju. Cristiano Ronaldo nuk ishte në takimin e parë. Portugalia me Ronaldon është ndryshe”, ka theksuar ylli i Arsenalit.

Artikulli paraprakArgjentina rrezikon
Artikulli tjetërSiria vazhdon të ëndërrojë