Siria vazhdon të ëndërrojë

Siria nuk dorëzohet dhe vazhdon të ëndërrojë pjesëmarrjen në Botërorin 2018. Ndeshja e parë play off përballë Australisë, e luajtur në stadiumin neutral “Malaça” të Malajzisë përfundoi në barazim 1-1. Australianët kaluan në avantazh me golin e sulmuesit të Bochum, Kurse, në fundin e pjesës së parë të ndeshjes.
Siria riktheu baraspeshën 5 minuta përpara fundit të ndeshjes, me 11-metërshin e realizuar nga Al Somah. Sulmuesi i Al-Ahli ishte kthyer në hero kombëtar edhe në ndeshjet e fundit kualifikuese, ku realizoi golin e barazimit 2-2 në fushën e kryesuesve të Iranit, duke i dhënë ekipit të tij shansin të luante në play off.
Një histori si në përralla ajo e Al Somah, që pavarësisht se në tre sezonet e fundit ka qenë golashënuesi më i mirë në kampionatin saudit, u kthye në përfaqësuesen siriane vetëm një javë më parë, pas përjashtimit për shkak të pikëpamjeve kundër presidentit Bashar al-Assad.
Siria ka shpresë edhe për 90 minuta të tjera, për ndeshjen e kthimit që do të luhet të martën e ardhshme në Sidnei. Fituesja e duelit do të ndeshet më pas me ekipin e klasifikuar në vendin e katërt në grupin amerikanoverior.

Artikulli paraprakXhaka: Do ta mposhtim Portugalinë
Artikulli tjetërHeynckess kërkon zëvendësin