Vrau gruan e pronarit, Gjykata le në burg autorin

Gjykata për Krimet e Rënda caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për shtetasin Fatjon Karmeshtna, 35 vjeç, baba i katër fëmijëve të mitur. Ai dyshohet të jetë ekzekutori i Suela Sulës, në fshatin Melgushë të Shkodrës. Në 18 prill 2016, ajo u gjet e mbytur në tualetin e një mobilierie në pronësi të saj dhe bashkëshortit, ku ishte i punësuar edhe Karmeshtna. Sipas Prokurorisë, vrasja është porositur nga bashkëshorti i viktimës, Sadedin Sula, për motive xhelozie. Sula po gjykohet ndërkohë tek Krimet e Rënda për vrasjen. Gjatë shqyrtimit të provave, lindën dyshime se ekzekutori ishte një tjetër person.
Prokurori tha se nga këqyrja e telefonit të viktimës janë përfituar disa regjistrime audio. Në këto regjistrime, Sadedin Sula bashkëbisedonte me Karmeshtnën, me të cilin rezulton se ka një raport të ngushtë, për raportet mes biznesmenit dhe bashkëshortes dhe dyshimet rreth saj. Kjo ka nxitur hetuesit të krahasojnë materialin gjenetik të gjendur në thonjtë e viktimës, me material gjenetik të Fatjon Karmeshtnës, marrë në një shishe uji të përdorur prej tij. Ekspertimi i ADN-së ka vërtetuar se dy profilet përputheshin.
“Viktima është përpjekur t’i rezistojë tentativës së të dyshuarit Fatjon Karmeshtna për ta mbytur dhe gjatë kontaktit fizik materiali biologjik i këtij të fundit ka mbetur i fiksuar në thonjtë e saj”, tha prokurori.
Gjatë seancës, Karmeshtna dëgjoi me qetësi prokurorin. Ai nuk pranoi të japë shpjegime, duke thënë “do të flas në një moment tjetër”. Më herët avokati i tij kërkoi një masë më të butë sigurie.
Përveç izolimit në paraburgim, prokurori i kërkoi Gjykatës edhe që i dyshuari Karmeshtna të vuajë masën në paraburgimin 302 dhe të mos i lejohet asnjë kontakt me ish-punëdhënësin e tij, të pandehurin Sadedin Sula.

Artikulli paraprakSërish drogë nga Shqipëria, bllokohen 105 kg në Athinë
Artikulli tjetërPublikohen mesazhet, ja si vrasësi e përndiqte prej kohësh studenten