Vrasjen e 17-vjeçarit Gjoklaj s’ka kush ta hetojë

Kanë kaluar 5 muaj pas vdekjes së 17-vjeçarit Ardit Gjoklajt në Sharrë, por ende organi i akuzës nuk i ka nxjerrë përgjegjësit e kësaj ngjarje. Televizioni “AbcNews”, referuar burimeve nga Prokuroria ka mësuar se prokurori i çështjes i ka deleguar policisë 7 detyra të reja. Prokurori Julian Zonja ka kërkuar që të merren në pyetje disa dëshmitarë që ndodheshin në landfill natën e vrasjes apo edhe të afërm të 17-vjeçarit, të cilët nuk janë pyetur ende.
Veç kësaj, është kërkuar edhe verifikimi në Institutin e Sigurimeve Shoqërore për punonjësit që kompania “3R” kishte të deklaruar, pasi zyrtarisht Prokuroria ende nuk është njohur me këto fakte.
Burimet nga Prokuroria thonë se janë në pritje edhe të ekzaminimeve të tjera të ekspertëve kriminalistikë apo atyre të Mjekësisë Ligjore. Ndërkohë, me ardhjen e këtyre materialeve shkresore, dosja do të dërgohet në gjyq, ku i vetmi që do të mbajë përgjegjësi për 17-vjeçarin është shoferi i eskavatorit Edmond Kollari që ndodhet i arrestuar.
Administratori i kompanisë “3R”, Edurim Teqja, që rezulton i shpallur në kërkim, si dhe përgjegjësi i turnit të natës së kompanisë, Defrim Hakrama do të përballen me akuza më të lehta.
Ndërsa hetimi ndaj zyrtarëve të bashkisë do të bëhet i veçuar nga ngjarja. Organi i akuzës ka ende në verifikim procedurat e ndjekura për krijimin e shoqërisë “ECO TIRANA”, e cila i ka kaluar kompanisë “3R” menaxhimin e Sharrës.
Ngjarja për të cilën Prokuroria po vazhdon hetimet, ka ndodhur në fillim të muajt gusht të këtij viti dhe ngjalli një indinjatë të thellë në publik. Trupi i 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj u gjet i gjymtuar dhe në fillim ngjarja u tentua të fshihej nga kompania “3R”. Dyshohet se 17-vjeçari ka qenë në gjumë, në kohën kur eskavatori që bënte grumbullimin dhe sheshin e mbetjeve e ka goditur duke i sjellë vdekjen.

Artikulli paraprakTragjedi në Tepelenë! Shtëpia në flakë, digjet nëna me fëmijën 6 muajsh
Artikulli tjetërDorëzohet qeveria, dalin nga greva e urisë banorët e Zharrëzit