Vrasja për pazaret e drogës, Prokuroria kërkon burg përjetë

Prokuroria e Tiranës kërkon dënim të përjetshëm për dy autorët e vrasjes së dyfishtë dhe plagosjes së një personi të tretë, ngjarje e ndodhur më dt.01.10.2015, në zonën e quajtur “Lulishte 1 Maji”, në kryeqytet. Nga hetimet e Prokurorisë së Tiranës rezultoi se të pandehurit Sael Sulaj dhe Vasiel Çavo janë autorët e vrasjes me armë zjarri të shtetasve Kevin Rugova dhe Aurora Oskian, si edhe të plagosjes së shtetasit Elvis Gjeçaj.
Në bazë të veprimeve hetimore, rezulton se më 1 tetor 2015, rreth orës 19:45, në rrugën “Beqir Rusi”, në sheshin mes pallateve afër Lulishtes “1 Maji”, dy persona kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të një autoveture të markës BMW, seria 5, në të cilën sapo kishin hipur dhe po largoheshin shtetasit Elvis Gaçaj, drejtues, Aurora Oskian, pasagjere në vend të parë, Kevin Rugova dhe E.GJ, pasagjerë në ndenjësen e pasme, të ulur përkatësisht pas Aurorës dhe Elvisit. Nga goditjet me breshëri me armë automatike kallashnikov, janë vrarë në vend Kevin Rugova dhe Aurora Oskian, të dy të ulur në krahun e djathtë të mjetit, është plagosur Elvis Gaçaj dhe ka shpëtuar pa dëmtime Eda Gjura. Elvis Gaçaj u shtrua në spital ku iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale.
Nga hetimi rezultoi se objekt i këtij sulmi kriminal ishte Elvis Gaçaj, person me precedentë penal në drejtim të trafikimit të lëndëve narkotike. Ngjarja ka ardhur si pasojë e një konflikti mes tij dhe të pandehurve Sael Sulaj dhe Vasiel Çavo.
Shërbimet e Policisë Gjyqësore arritën që më 02.10.2015 të shoqëronin në mjediset e DPQ Tiranë Sael Sulajn dhe Vasiel Çavon. Të pyetur në cilësinë e personave nën hetim, të lartpërmendurit pranuan autorësinë e krimit, si dhe shpjeguan tërë mekanizmin e ngjarjes.
Nga deklarimet e tyre rezulton që motivi i kësaj ngjarjeje është një konflikt i disa muajve më parë mes të dëmtuarit Elvis Gaçaj dhe personit nën hetim Vasiel Çavo. Elvis Gaçaj e ka rrahur Vasielin dhe, në mënyrë të përsëritur, ka vijuar të fyejë dhe shajë Sael Sulajn. Mbrëmjen e datës 01.10.2015, shtetasi Sael Sulaj ka parë rastësisht në një lokal pranë lagjes ku ai banon, shtetasin Elvis Gaçaj, duke darkuar me tre të tjerë. Ai njihte Kevin Rugovën si njërin prej personave që rrinte vazhdimisht me Elvisin. Po ashtu, ka parë që brenda lagjes, afër me shtëpinë, ishte parkuar autovetura BMW që ai e dinte që ishte e Elvis Gaçajt. Në këtë kohë, për shkak të konfliktit të lartpërmendur, shtetasit Sael Sulaj i ka lindur mendimi që të hakmerrej ndaj shtetasit Elvis Gaçaj dhe, për këtë qëllim, i ka telefonuar shokut të tij Vasiel Çavo. Pasi janë takuar, kanë biseduar për t’u hakmarrë. Këtë hakmarrje e kanë dëshiruar të dy, sepse edhe Vasieli kishte patur debate dhe konflikte fizike me Elvis Gaçajn.
Saeli ka qëndruar në sheshpushimin që ishte përballë dhe sipër vendit ku qe parkuar mjeti, pikërisht përpara xhamit të përparmë të mjetit dhe ka patur me vete automatikun. Ndërsa, Vasieli, i pajisur me pistoletë, rrinte në një shkallë ngjitur, edhe ai në sheshpushim, me fushëpamje nga pjesa anësore e autoveturës BMW.
Elvisi dhe personat që e shoqëronin atë kanë dalë nga lokali dhe i janë drejtuar automjetit të tyre, shtetasi Sael ka mbushur armën automatike dhe, pasi të lartpërmendurit kanë hipur në mjet dhe mjeti është ndezur, ai është ngritur dhe ka hapur zjarr në drejtim të tyre, duke qenë përballë mjetit, derisa ka mbaruar të gjithë fishekët. Menjëherë më pas, në drejtim të automjetit, anash tij, ka hapur zjarr me pistoletë dhe shtetasi Vasiel Çavo dhe të dy personat e armatosur janë larguar më këmbë në drejtime të ndryshme bashkë me armët e krimit. I pandehuri Sael Sulaj ka marrë automatikun që e ka siguruar brenda çantës me rrota dhe e ka hedhur në Lumin e Lanës automatikun dhe çantën që mbante atë, sende këto që u sekuestruan më pas si prova materiale.

Artikulli paraprakMerrnin para për të fshirë gjobat nga sistemi i OSHEE, procedohen punonjësit
Artikulli tjetërProkuroria administron 16 dëshmi për vrasjen e Gjoklajt në landfill