Prokuroria administron 16 dëshmi për vrasjen e Gjoklajt në landfill

16 persona janë marrë në pyetje për vdekjen e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës. Familjarët dhe punëtorët e Kompanisë 3R kanë dëshmuar para prokurorëve se adoleshenti që humbi jeten, ishte punëtor në landfill dhe nuk ishte i siguruar.
Sipas akuzës, krahas marrjes së dëshmisë së punonjësve të Kompanisë 3R që tashmë janë në hetim, Prokuroria ka pyetur edhe disa punëtorë të landfillit dhe familjarët e viktimës 17-vjeçar. Edhe punëtorët dhe pjesëtarët e familjes, kanë këmbëngulur dhe provuar para hetuesve se i riu ishte punëtor sezonal në landfillin e Sharrës, i paregjistruar dhe jashtë çdo rregulli ligjor për shkak të moshës. Ky fakt, tashmë për Prokurorinë është sqaruar pavarësisht deklarimeve të përgjegjësit të turnit në momentin e parë, pas gjetjes së trupit të pajetë të 17-vjeçarit.
Nga ana tjetër, burimet nga Prokuroria thonë se janë në pritje të raportit zyrtar të Mjekësisë Ligjore, i cili ende nuk ka përfunduar për shkakun e vdekjes së të riut. Pavarësisht informacioneve paraprake, se vdekja i ka ardhur si pasojë e goditjes nga kova e ekskavatorit dhe më pas gjymtimit të trupit nga zinxhirët e mjetit të rëndë. Gjithashtu në Prokurori, edhe Bashkia e Tiranës ende nuk i ka dorëzuar të gjitha materialet e kërkuara, si kontratat e Bashkisë me Ndërmarrjen Publike të qytetit të Veronës, më pas kontratën apo procedurat e tenderit që Bashkia ia ka dhënë për selektimin e mbetjeve urbane Kompanisë 3R, pronari i të cilës vazhdon të jetë në kërkim, apo edhe ndonjë raport të mundshëm të inspektimit të kësaj kompanie brenda landfillit, pasi ishte në varësi të Bashkisë së Tiranës. Burimet thonë se, Bashkia ka kërkuar kohë, që të përgatisë të gjithë këto materiale që pritet t’i dorëzojë në Prokurori. Nga ana tjetër, hetuesit kanë ngritur dyshime se Bashkia e kryeqytetit nuk ka bërë tender të hapur për shpalljen fituese të Kompanisë 3R për selektimin e mbetjeve urbane brenda landfillit. Por, me një urdhër të veçantë të kreut të Bashkisë, dyshohet se Kompania 3R ka nisur punën në landfill, urdhër ky që pritet të verifikohet pas dorëzimit të materialeve në Prokurori nga Bashkia e kryeqytetit.
Ndërkohë avokatët e të arrestuarve, vazhdojnë të këmbëngulin për pafajësinë e tyre, me pretendimin se i riu nuk ka qenë punonjës dhe mund të jetë vrarë jashtë landfillit dhe më pas mund të jetë sjellë nga kamionët e transportit të mbeturinave.

Artikulli paraprakVrasja për pazaret e drogës, Prokuroria kërkon burg përjetë
Artikulli tjetër3 shqiptarë kapen me 500 kg drogë në Gjermani