Vrasja e paralajmëruar e gjyqtares

Një ngjarje e rëndë tronditi mesditën e djeshme kryeqytetin. Një gjyqtare u vra me dy plumba pistolete nga ish-burri i saj në zonën e ‘Xhamllikut’ në Tiranë. Ngjarja e rëndë ndodhi dje rreth orës 14:00 në momentin kur gjyqtarja Fildes Hafizi ishte duke hipur në automjetin e saj, tip “Benz” me ngjyrë gri. Policia bëri të ditur se, Fildes Hafizi (Kasemi), 39 vjeç, me profesion gjyqtare e Gjykatës së Shkodrës është qëlluar nga ish-burri i saj Fadil Kasemi, 53 vjeç. Ajo ka ndërruar jetë menjëherë, pasi është qëlluar me dy plumba në kokë. Policia bëri të ditur se ka arrestuar autorin e krimit dhe ka sekuestruar armën me të cilën kreu krimin. Policia tha se, po vijon hetimet për të zbardhur motivet e krimit të rëndë.
Gjyqtarja Fildes Hafizi ka patur urdhër mbrojtje me vendim Gjykate, por ajo nuk ka patur asnjë mbrojtje nga Policia ndonëse është kërcënuar nga ish-burri në rrugë dhe në ambiente publike. E vrarë në mes të ditës dhe mes të Tiranës pa patur asnjë mbrojtje nga shteti edhe pse Gjykata kishte kërkuar mbrojtje për të. Gjyqtarja luftoi dhe kërkoi mbrojtje për jetën e saj, por e humbi betejën, sepse e vranë! E vrau shteti, që e kishte për detyrë ta mbronte!
39-vjeçarja ka deklaruar se ish-burri e kishte kërcënuar edhe më parë me pistoletë, duke i shkuar në shtëpi. Hafizi ka deklaruar po ashtu se, i shoqi pinte dhe luante bixhoz dhe për këtë arsye kishte vendosur të divorcohej me të, duke fituar vetë kujdestarinë e fëmijëve.
Fadil Kasemi ka tentuar të vrasë ish-gruan e tij në vitin 2015 në plazhin e Golemit. Ngjarja ndodhi në sy të fëmijëve të çiftit të divorcuar në maj të vitit 2015. Burri u arrestua dhe me kërkesë të Prokurorisë së Kavajës, Gjykata ka vendosur në vitin 2015 masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasin Fadil Kasemi, pasi tentoi të vriste ish-bashkëshorten e tij.

Vrasësi e priti sa doli nga parukeria

Zbardhen të tjera detaje nga ngjarja e rëndë që tronditi dje Tiranën, ku mbeti e vrarë gjyqtarja Fildes Hafizi (Kasemi). Burime nga vendi i ngjarjes thanë se, gruaja është vrarë nga ish-bashkëshorti i saj, Fadil Kasemi, sapo ka dalë nga një parukeri në zonën e ‘Xhamllikut’.
53-vjeçari e ruante ish-bashkëshorten dhe sapo ajo ka dalë nga parukeria dhe hipi në makinë, i është afruar duke e qëlluar me dy plumba në kokë. Më pas, ai ka lëvizur pak metra më tej në rrugë, ku nën kërcënimin e armës ka ndaluar një shofer furgoni, të cilit i ka kërkuar ta çojë në Komisariatin Nr.2 ku edhe është vetëdorëzuar para policisë.
Bëhet e ditur se, gjyqtarja e kishte parandjerë krimin. Disa kohë më parë, ajo i ishte shprehur një koleges së saj gjatë një udhëtimi Tiranë-Shkodër se burri do ta vriste. “Kam frikë se ai do të më vrasë”, mësohet t’i ketë thënë Fildes Hafizi koleges. Gjyqtarja jetonte me dy fëmijët dhe kujdesej gjithashtu për prindërit e saj të moshuar dhe në gjendje të keqe shëndetësore.

Deklarata e vrasësit në polici: Jam penduar

Fadil Kasemi ka dhënë dëshminë e tij të parë në polici në lidhje me vrasjen e ish-gruas Fildes Hafizi. Ai ka thënë në polici se, është penduar për vrasjen e ish-gruas, por ka shtuar se, gjithçka ka ndodhur në kushtet e tronditjes psikologjike. Burri ka thënë se, ka pasur një debat me gruan gjatë ditës për çështjen e fëmijëve, para se ta qëllonte me armë. Mësohet se autori ka thënë në polici se, ish-gruaja, nuk e lejonte të takohej me dy fëmijët pas divorcit.
Po ashtu edhe pas arrestimit të tij në 2015, pasi kërcënoi gruan me armë në plazh, Fadik Kasemi ka thënë se gruaja nuk i lejoi fëmijët të shkonin ta takonin në burg.
Disa herë, Fildes ishte shprehur e shqetësuar lidhur me persekutimet e ish-bashkëshortit dhe kishte kërkuar mbrojtje nga policia. Madje miq të saj treguan se ish-bashkëshorti e kërcënonte me telefon edhe gjatë kohës që kishte qenë në burg.

Gjyqtarja-koleges: Kam frikë se do të më vrasë

“Ndihem e kërcënuar, ai mund të më vrasë”. Këto janë fjalët që gjyqtarja Fildes Hafizi (Kasemi) i kishte thënë një koleges së saj. Gjyqtarja ia kishe shprehur këtë shqetësim gjatë një udhëtimi nga Tirana për në Shkodër. Ndërkohë dje ajo është ekzekutuar me dy plumba në kokë brenda makinës nga ish-bashkëshorti i saj, shtetasi Fadil Kasemi. Gjyqtarja, raportohet se përveç dy fëmijëve, kujdesej edhe për dy prindërit e saj, të cilët janë në gjendje jo të mirë shëndetësore. Autori i krimit u arrestua nga policia menjëherë pas ngjarjes.

Ulërimat e të birit para dy vitesh: “Mos e vrit mamin”!

Bashkëshorti vrasës kishte tentuar edhe më parë të qëllonte mbi gruan e tij gjyqtare. Në 19 korrik 2015, në plazhin e Golemit në afërsi të hotel “Horizonti”, Fadil Kasemi ka kanosur me anën e një pistolete bashkëshorten e tij, shtetasen Fildes Hafizi. “Mos e vrit mamin”, i lutej djali babait për nënën e tij, e cila edhe ajo e rrëzuar në rërë lutej “Mos e lër djalin jetim”.
Djali shikonte sesi babai i tij, po tentonte të nxirrte pistoletën që e kishte vendosur në brez në tentativën për të kryer një vrasje të mundshme ndaj nënës së tij, e cila ishte e divorcuar. Fatmirësisht ndërhyrja e një pushuesi, bëri izolimin e 51-vjeçarit Fadil Kasemi dhe marrë armën ku parandaloi krimin e rëndë. Të shumtë kanë qenë dëshmitarët që kanë parë ngjarjen dhe janë rrënqethur nga ai moment. Ngjarja ka ndodhur në shezlonet e plazhit. Paradite gruaja dhe djali e kishin kaluar vetëm ditën, më pas kishte ardhur 51-vjeçari dhe së bashku u larguan për t’u kthyer më vonë pranë shezlonit, duke debatuar. Në debat e sipër ish-bashkëshorti godet me grusht djalin, duke e rrëzuar në rërë dhe disa herë me grushta bashkëshorten e tij 35-vjeçare Fildes Hafizi duke i lënë dhe shenja në fytyrë.
“I kapi duart e i tha, çfarë po bën. E goditi dhe e uli në gjunjë, ndërsa pistoletën ia dha gruas, e cila e çoi në komisariatin e Golemit, gati 200 metra larg vendit ku ndodhi krimi”, dëshmoi pushuesi. 35-vjeçarja së bashku me djalin e tij ndodheshin për pushime në plazh në një hotel aty pranë. Pushuesit rrëfyen atë kohë se kur policët mbërritën dhe e gjetën Fadilin të ulur në rërë dhe me duar në kokë. Ashtu si tani, ai pa rezistencë iu dorëzua prangosjes së policisë.

Postimi prekës i gjyqtares: “Fëmijët kapitulli më i bukur në librin e jetës time”

Gjyqtarja e rrethit të Shkodrës Fildes Hafizi, 39 vjeçe e cila u ekzekutua dje nga ish-bashkëshorti i saj, ka bërë disa postime pikante në rrjetin e saj social “Facebook”. Kujtojmë se 39-vjeçarja po shkonte në shtëpinë e saj ku jetonte me dy fëmijët e mitur, në momentin që është qëlluar nga ish-bashkëshorti.
E duket se fëmijët ishin ngushëllimi dhe motivi i jetës për gjyqtaren shkodrane pas problemeve të shumta me bashkëshortin. Në një postim të shpërndarë në rrjetet sociale “Facebook”, gjyqtarja shkruan se fëmijët janë kapitulli më i bukur i jetës së saj.
“Fëmijët e mi janë dhe do të mbeten kapitulli më i bukur në librin e jetës time”, shkruhet në postim.
Fildes Hafizi ishte nënë e një djali dhe një vajze adoleshentë. Ajo ishte dhunuar disa herë nga ish-bashkëshorti Fadil Kasemi dhe madje kishte edhe një urdhër mbrojtjeje, por sërish nuk ka mundur t’i shpëtojë çmendurisë së 53-vjeçarit që sot e ka ekzekutuar pak metra larg shtëpisë së saj, duke lënë tashmë dy fëmijë jetimë. Kasemi u arrestua pak kohë pas vrasjes që tronditi sot kryeqytetin.

Si tentoi ta vriste dy vite më parë gjyqtaren dhe si u lirua nga burgu Fadil Kasemi

Fadil Kasemi, i cili mesditën e djeshme ekzekutoi ish-bashkëshorten e tij, ka tentuar të vrasë ish-gruan e tij në vitin 2015 në plazhin e Golemit. Ngjarja ndodhi në sy të fëmijëve të çiftit të divorcuar në maj të vitit 2015. Burri u arrestua dhe me kërkesë të Prokurorisë së Kavajës, Gjykata ka vendosur në vitin 2015 masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasin Fadil Kasemi, pasi tentoi të vriste ish-bashkëshorten e tij.
Kasemi, i cili mesditën e djeshme ekzekutoi ish-bashkëshorten e tij, gjyqtare në Gjykatën e Shkodrës u lirua nga burgu në janar të 2017. Ai është një nga 670 të dënuarit, të cilët përfituan lirinë nga amnistia, pas listës së hartuar nga Ministria e Drejtësisë dhe e miratuar nga Parlamenti në dhjetor të 2016.
Urdhri i lirimit mban datën 14 janar 2017. Në momentin kur u miratua aministia, Kasemit i kishin mbetur për të vuajtur dhe 11 muaj e 8 ditë burg. Vendimi i Gjykatës së Kavajës dënonte Fadil Kasemin me 3 vjet burg. Vendimi i firmosur nga gjyqtari Luan Lusha u shpall më 28 prill 2016.
Gjykata e deklaroi fajtor Fadil Kasemin për kryerjen e veprës penale “dhunë në familje” me 1 vit e 6 muaj burg. Dhe për akuzën “armëmbajtje pa leje” e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 3 vjet burg.
“Në bazë të nenit 55 të Kodit Penal në bashkim të dy dënimeve në një dënim të vetëm e dënon të pandehurin me 4 vjet e 6 muaj burgim. Në aplikimin e nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale e dënonte përfundimisht të pandehurin me 3 vjet burg”.
Vuajtja e dënimit niste nga data 19 korrik 2016 dhe do të kryhej në një burg të sigurisë së zakonshme”, thuhet në vendimin e Gjykatës.
Mesditën e djeshme, Fadil Kasemi qëlloi për vdekje ish-bashkëshorten e tij, e cila po hipte në makinën e parkuar pranë pallatit ku jetonte. Policia arrestoi autorin dhe sekuestroi armën e krimit.

Facebook kujton gjyqtaren e vrarë

Vrasja e gjyqtares Fildes Hafizi, nënë e dy fëmijëve në mes të kryeqytetit shqiptar nga ish-bashkëshorti i saj ka shkaktuar tronditje dhe reagime. Një reagim virtual ka ardhur edhe nga platforma “Facebook”, më e përdorura në Shqipëri. Prej një viti aplikacioni i krijuar nga Mark Zuckerberg, ka krijuar disa opsione, ku përdoruesi ka të drejtë edhe të vendosë se çfarë do të ndodhë me llogarinë e tij pas vdekjes dhe madje të ketë edhe një kontakt të dytë që mund ta përdorë.
E me sa duket e njëjta gjë ka ndodhur edhe me llogarinë në “Facebook” të gjyqtares 39-vjeçare, të cilës iu mor sot jeta nga babai i fëmijëve të saj.
“Facebook” e ka kujtuar Fildes me një citim në krye të faqes së saj, ku thotë se profili do të jetë aty për të kujtuar jetën e saj. “Në kujtim të Fil Des. Ne shpresojmë që njerëzit që e kanë dashur Fil të gjejnë ngushëllim kur të vizitojnë profilin e saj për të kujtuar dhe festuar jetën e saj”, shkruhet aty.

R.POLISI

Artikulli paraprakRaporti i CIA-s, Berisha: Noriga në rreth të kuq!
Artikulli tjetërVilma Nushi i shet aksionet dhëndrrit për të fshehur gjurmët