Vilma Nushi i shet aksionet dhëndrrit për të fshehur gjurmët

Të gjitha konçesionet e shëndetësisë në katër vitet e qeverisjes Rama kanë përfunduar me bekimin e tij në duart e një njeriu të vetëm, Vilma Nushit. Për të shpërndarë gjurmët e aferave në koncesionet e bëra gati për në vijim, Nushi bashkë me Ramën po ndjek strategjinë e njohur tashmë nga njerëzit e tjerë pranë Ramës, atë të fshehjes së pronësisë së bizneseve.
Një taktikë e njohur tashmë që ka të bëjë ose me shitjen fiktive të aksioneve të kompanisë siç ishte rasti i ish-ministrit të Shëndetësisë Beqja, i cili deklaroi gjoja shitjen e komapnisë Intech+, në mënyrë që kompania në fjalë të vijonte të përfitonte tendera nga pushteti apo shitjen e aksioneve tek të afërm e familjarë emrat e të cilëve janë të panjohur për publikun. Qëllimi i këtyre lëvizjeve është shmangia e vëmendjes mediatike e njëkohësisht shmangia e shkeljeve në përqendrimin e të gjitha tenderave dhe koncesioneve nën emrin e një personi të vetëm siç është në rastin konkret Vilma Nushi.
Dje, mediat lajmëruan se Vilma Nushi, një nga sipërmarrëset më të mëdha në vend ka shitur aksionet, që ajo zotëronte në shoqërinë e tregtimit të produkteve farmaceutike, TRIMED. Transaksioni është realizuar në muajt e parë të këtij viti. Vendimi i asamblesë zbardh se Nushi hoqi dorë nga 50% e aksioneve të kompanisë, që ajo kishte nën zotërim duke ia shitur një shtetasi britanik, Dominic Noel William Evans, në fund të prillit të këtij viti. Sipas kontratës së shitblerjes së kuotave, çmimi i transferimit të masës së kapitalit të masës prej 50% të kapitalit të shoqërisë është 300 mijë euro. Aktualisht TRIMED, zotërohet nga aksioneri i ri në 50% të saj dhe po kaq edhe nga Shani Peposhi, të cilët në kapital zotërojnë nga 30.45 milionë lekë në vlerë kapitali.
Por çfarë fshihet pas këtij transaksioni që në dukje shfaqet si një shitje e thjeshtë e aksioneve të kompanisë në fjalë. Sipas denoncimeve në media bëhet e ditur se britaniku të cilit Vilma Nushi i ka shitur aksionet e kompanisë së saj nuk është gjë tjetër veçse bashkëshorti i mbesës së saj. Sipas këtyre të dhënave rezulton, se Nushi nuk është duke u tërhequr aspak nga kompania dhe veprimtaria e saj, thjeshtë ajo është duke zgjeruar biznesin e familjar për të patur më shumë mundësi në zhvatjen e parave të buxhetit të shtetit.
Ish-Kryeministri Berisha në një reagim të publikuar dje denoncimin e një qytetari, i cili zbardh lidhjet e Nushit me britanikun, të cilit ajo i ka shitur aksionet. “Famozja ndrikull Nushi ndan paratë e buxhetit të shtetit dhe lumturon ilakanë!! Lexoni mesazhin e qytetarit dixhital, i cili informon se ndrikull Nushi, e cila u bë e famshme me check up-in e saj, në të cilin merrte paratë sikur e ka bërë kontrollin edhe për qindra mijëra persona që rezultonin të vdekur kohë më parë, apo nxirrte gratë me prostatë dhe burrat me gavidancë, tani ka vendosur bujarisht të ndajë punën dhe paratë e takspaguesve me mbesën e vet të dashur dhe ta bëjë atë të lumtur dhe të pasur”, shkruan Berisha. Në denoncimin e publikuar dje nga ish-Kryeministri Berisha, “Dr. Berisha ndjesë për shqetësimin. Në vijim të mashtrimeve ndrikull Nushi del me një dokument ku vërteton shitjen e 50% të aksioneve të check-up të aksioneve një kompanie angleze të cilën e drejton Dominic Evans, i cili nuk është askush tjetër veçse dhëndri i motrës së saj bashkëpunëtores më të ngushtë, Majlinda Hido. Dominic Evans është bashkëshorti i mbesës së ndrikull Nushit, Ledina Hido. Ju përshëndes me shumë respekt”.

Kush është TRIMED

Në bilancin e TRIMED për vitin 2016 rezulton se të ardhurat e kompanisë ishin 1.7 miliardë lekë, me një rritje të ndjeshme prej rreth 60% në raport me vitin e mëparshëm. Ndërkohë që edhe fitimi para tatimit i vitit për 2016 është rritur me 50%, duke regjistruar vlerën 67 milionë lekë. Referuar profilit të kompanisë në faqen e saj zyrtare në internet bëhet me dije se, Trimed operon në tregun shqiptar që prej vitit 1993. “Në vitin 2008, kompania nisi bashkëpunimin me M&D, një kompani e specializuar në logjistikë dhe shpërndarje”, thuhet në profilin e saj.
Marketing and Distributon është kompania kryesore e sipërmarrëses Nushi. Në objekt të aktivitetit të saj kompania përfshin Import-Eksport tranzit, depo farmaceutike, përfaqësim në fushat farmaceutike, prodhim-përpunim-konfeksioni-import-eksport-tranzitim-tregtim me shumicë e pakicë të medikamenteve, materialeve mjekësore e aksesorëve të tyre, barnave, materialeve dentare e veterinare, higjienosanitare, barnave mjekësorë popullore, por edhe fusha shtesë.
Por përtej shifrave të kamufluara me kujdes nga Nushi, përfitimet e kompanisë së saj Trimed, bashkë kompaninë tjetër Marketing Distribution kapin vlerën marramendëse të gati 230 milionë eurove. Mjafton të kujtojmë që koncesioni i Vilma Nushit për kontrollin falas të shëndetësisë me vlerë 120 milionë euro është në hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda që prej vitit 2015, por kjo nuk e ndaloi Edi Ramën që t’i jepte sërish dhe 100 milionë euro të tjera, këtë herë për laboratorët.
Nga viti 2015, Nushi rezulton se, vetëm me anë të dy koncesioneve të provuara në shëndetësi të ketë përfituar rreth 22 milionë euro, për një periudhë 10-vjeçare. Por jo vetëm kaq, nga koncesioni i fundit, fondeve të buxhetit do i bashkëngjiten dhe fitimet që do të marrë nga analizat që do të kryhen në laboratorët e dhuruar nga Edi Rama në të gjithë vendin. Deri më tani përllogariten se nga katër koncesionet e mëdha, chek-up, ai i sterilizimit, hemodializa dhe së fundmi ky i laboratorëve kostoja të jetë diçka më shumë se 400 milionë euro.

Artikulli paraprakVrasja e paralajmëruar e gjyqtares
Artikulli tjetërShqiptari kapet në Itali me 38 kg drogë