“Vollga”, Shullazi kërcënon prokuroren në sallën e gjyqit

Kapobanda Emiljano Shullazi kërcënoi prokuroren e çështjes në seancën e djeshme gjyqësore. Seanca është zhvilluar mes debatesh të forta mes Emiljano Shullazit dhe katër anëtarëve të tjerë të akuzuar si pjesë të një grupi të kriminal dhe prokurores së çështjes.
Ka qenë vetë i pandehuri kryesor, Emiljano Shullazi që ka akuzuar Prokurorinë për sajim të provave në adresë të tij. Duke iu drejtuar prokurores Elisabeta Ymeraj, Shullazi i ka thënë asaj se kishte prova dhe filmime ku prokurorët mësojnë dëshmitarët se si duhet të flasin në lidhje me biznesmenin Ylvi Beqaj. Madje kërcënimi i Shullazit shkoi deri aty, sa tha se, do të nxirrte edhe emra prokurorësh konkretë si dhe dëshmitarë. Prokurorja i ftoi që gjithë ç’kanë t’i paraqesin në proces.
Deklarata e tij erdhi pas tre përballjeve që u bënë në Gjykatë mes dëshmitarëve dhe biznesmenit Ylvi Beqaj, që njëkohësisht është bashkëpandehuri në këtë proces, por ka fituar edhe statusin e dëshmitarit të mbrojtur. Para Gjykatës biznesmeni Beqja konfirmoi se nënshkrimi i kontratës ku ai i dhuronte një pjesë të ish-hotel “Vollgës” ishte bërë në kushte presioni.
Fillimisht Beqaj është përballur me noteren Aida Spahiu, ku është nënshkruar edhe kontrata e dhurimit të një pjese të ish hotel “Vollgës” mes Shullazit dhe Ylvi Beqajt. Ndryshe nga sa pretendon Beqaj, edhe në këtë seancë noterja u shpreh se kontrata është firmosur me mirëkuptim nga të dyja palët dhe në zyrën e saj nuk kishte patur asnjë kërcënim. Noterja mohoi edhe pretendimin e biznesmenit për një takim mes tyre në Rinas.
Ndërsa Ylvi Beqaj nga ana e tij u shpreh se, “noterja gënjen” dhe se ai është kërcënuar nga Shullazi. “Me bindjen më të fortë them që, kjo zonjë nuk thotë të vërtetën”, këmbënguli Beqja. Të njëjtin qëndrim noterja mbajti edhe në ballafaqimin me dëshmitarin Besnik Musai, dëshmitar i mbrojtur në proces, ish-shofer i Ylvi Beqjes.
Në dëshminë në gjykim, Musai ka pretenduar se ka parë Shullazin t’i vërë pistoletën në bark Ylvi Beqjes, pak para se ai të nënshkruante dhurimin e një pjese të “Vollgës”. Në përballjen mes Ylvi Beqjes dhe ish-bodigardit të tij, ky i fundit theksoi se, biznesmeni nuk i kishte shprehur asnjë shqetësim për kërcënim apo shantazhim.
I vetmi që ka mbrojtur pretendimet e Beqajt ishte kunati i tij Besnik Musai, i cili tha se kishte parë Shullazin që kishte kërcënuar Beqajn dhe se kontrata ishte firmosur në zyrën e noteres me qepena të mbyllur.
Pas këtyre ballafaqimeve dëshmitë mbeten si më parë, me kontradikta të theksuara mbi faktet e pretenduara të kërcënimit. Ndërkohë në fund të seancës, i pandehuri Emiljano Shullazi replikoi me prokuroren e çështjes, duke deklaruar se do të sillte në gjyq fakte të reja që dëshmojnë pafajësinë e tij. Në fund të seancës, avokatët e të pandehurve kërkuan ndryshim të masave të sigurisë për të akuzuarit, kërkesë kjo që u rrëzua nga Gjykata. Trupi gjykues nuk pranoi kërkesat për ndryshim mase, duke lënë në fuqi masat e sigurisë arrest me burg.
I akuzuari Emiljano Shullazi është bërë pronar i 20 për qind të hotel “Vollgës” përmes një kontrate dhurimi të firmosur nga Ylvi Beqja. Prokuroria dyshon se, kompania “Saudit Brother”, administrator i së cilës ishte Beqja, është detyruar nëpërmjet kërcënimeve dhe presionit t’i japë 20 për qind të pronës Shullazit për të përfunduar gjithë problemet e pronësisë. Kësisoj, pasi ato u zgjidhën, rezultoi se në dhjetor 2014, Beqja në cilësinë e administratorit të “Saudi Brothers” i ka dhuruar Emiljano Shullazit “në shenjë mirënjohjeje” 749 metra katrorë truall brenda sipërfaqes ku ndodhet ish-hotel “Vollga”.

 

Artikulli paraprakPërgjimet, trafikantët: Saimiri do vijë prapë se i pëlqeu kostumi te “Hugo boss”
Artikulli tjetërBerisha: Shpërbleni të përmbyturit, jo njëri-tjetrin