Vlahutin bën qokën e rradhës ndaj Kryegjatësisë

Nga Ergys MËRTIRI

Si e papunë me shërbim që është në Shqipëri, Romana Vlahutin na ka argëtuar këtë fundjavë me inagurimin e një vepre arti në lungomaren e Vlorës, një instalacion me disa korniza hekuri apo bronxi në formën e dyerve, me disa pllaka në formë zogjsh sipër, të quajtur “The door”, mbështetur nga fondet e BE-së!
Romana e vlerësoi këtë si “një vepër madhështore që ka dashur të përcjellë një pjesë të bukurisë që gjendet këtu” në qytetin e Vlorës. Pra, meqë Vlora është e bukur, dhe vepra e inaguruar është gjithashtu e bukur, kjo do të thotë se bukuria e veprës së artit, duhet të jetë duke na përcjellë një pjesë të bukurië së qytetit!
“Kjo quhet dera, – vazhdon Romana, – por nuk është dera që do çojë shqiptarët në Europë, por është dera që do të sjellë Europën tek shqiptarët”.
Në njëfarë kuptimi e pavetëdijshmja e saj po thotë të vërtetën: Harrojeni se do të hyni në Europë, thjesht do jetë Europa që do vijë në Shqipëri për projektet e saj, për të konsumuar ca fonde, për të dhënë disa direktiva e detyra shtëpie dhe kaq, siç ka ndodhur këto 27 vjet!
Sigurisht, Romana ka dashur të thotë se kjo nuk është dera nga ku shqiptarët do t’iu çajnë menderen europianëve duke ikur emigrantë.

Por, edhe kjo metaforë fut ujë, – krejt normale kjo gjë për fjalimet, përherë mediokre, të ambasadores që deri më sot ka shfaqur më shumë flokë se mend. Në fakt, ajo derë aty në Vlorë, ka qenë përherë porta e trafiqeve që kanë dërguar me skaf vetëm emigrantë, drogë dhe armë, duke i eksportuar Europës disa kokëçarje më shumë, meqë nuk e ka çarë kurrë kokën për ne, ndërsa është tallur me hallet tona duke na dërguar ambasadorë si kjo.
Gjithsesi, ceremonia doli me sukses. Romana nuk harroi të bëjë qokën e rradhës ndaj Kryegjatësisë së tij duke thënë shprehimisht se ky qytet “është tërësisht i transformuar nga ajo që kemi parë, vetëm një vit më parë” e duke na uruar gjithashtu që “ta shijojmë këtë lungomare të bukur”.
Më pas, ashtu si rastësisht, Romana mori pjesë në një koncert me muzikë klasike të organizuar nga bashkia e qytetit si për koinçidencë po atë ditë, pak minuta në vonë, ku, kësaj rradhe, ishte i pranishëm edhe vetë Kryeministri, që ndoqi shfaqjen në krah të saj.
Pra, një rrugë e një tufë punë: Edhe inagurimin për një projekt kot, edhe pak propagandë për qeverinë, edhe PR për bashkinë dhe qeverinë për koncertin “madhështor”, e me këtë rast, shohim edhe ndonjë shfaqje! Ambasada duket e koordinuar si sahat me Qeverinë, e madje edhe me Bashkinë e Vlorës në këtë rast!

Artikulli paraprakKush është korrieri vlonjat i drogës që u arrestua në Itali (Foto)
Artikulli tjetërAktorja i nxjerr Kumbaros foton e sikletshme: Kujdes, nuk është mirë kështu se je dhe femër…