Vjedhja skandaloze 23 milionë euro, një uniformë policie kushtoi 3 mijë euro

Një tjetër rast i dyshimtë është tenderi për uniformat e policisë. Në gusht të vitit që lamë pas, qeveria akordoi një fond prej 23 milionë euro për uniformat e reja verore dhe dimërore të policisë për katër vite.

Një shumë kjo rreth trefish më e lartë. Po të shikojmë prokurimet nga shtatori 2013 deri në qershor 2019, pra për rreth 6 vjet, qeveria ka shpenzuar rreth 7,8 milionë euro për uniformat e policisë. Ndërsa sot, ky tender ka kapur shifra marramendëse.

“Tenderat më abuzivë, të paktën ata që kanë bërë më tepër bujë. Ka qenë tenderi i blerjes së uniformave të policisë. Një tender që u diskutua jashtëzakonisht shumë për shkak të kostove jashtëzakonisht shumë të larta.

Ne na kushtoi 3 mijë euro një uniformë policie, që kishte një kapotë, një palë këpucë, dy plë pantallona dhe dy këmisha. Të gjitha këto kushtonin tre mijë euro ndërkohë që me një llogari të thjeshtë nëse do të ishin blerë në dyqanet e rrobaqepësive në Tiranë pa pasur as tendera as garë asgjë. Të gjitha nuk do të shkonim më shumë se 50 mijë lekë për një efektiv policie”, tregon Panajot Soko.

Duke qëndruar tek uniformat e policisë së shtetit. Kulmi i abuzimit arrin kur një kompani e dënuar për afera korruptive. Bëhet fjalë për “Gjergjefi Sh.p.k”, që është hetuar disa herë për korrupsion për tenderat e uniformave të policisë.

Hetimet nisën në vitin 2011 dhe u iniciuan pas denoncimit të deputetëve të Partisë Socialiste, të cilët mbi bazën e denoncimeve publike gjetën një dëm ekonomik 1.5 miliardë lekë të reja.

Sot situata ka ndryshuar, korrupsioni është harruar dhe me këtë kompani ka nisur bashkëpunimi. Partia Socialiste, në vitin 2018, i jep sërish tenderin për uniformat, kompanisë Gjergjefi sh.p.k.

“Në përgjithësi për procesin e tenderimit në Shqipëri ka një hije të madhe. Për këtë flasin edhe institucionet ndërkombëtare që bashkëpunojnë me ne si banka botërore, fondi monetar, kombet e bashkuara, bashkëpunimet me qeveritë e ndryshme” tregon Suzana Guxholli

Në vitin 2016, dy kompani, u kapën me përgjime, për shkak të aferave me tenderat për ushqimin në burgje. Administratorët e tyre u arrestuan dhe u dënuan, por sot sërish këto kompani vijojnë të marrin fonde publike.

“Prokuroria filloji një ndjekej penale kundër katër operatorëve në garë të cilët u regjistruan gjatë përgjimeve me një zyrtarë të drejtorisë së përgjithshme të burgjeve. Çfarë ndodhi me këta operator? Dy prej tyre ndryshuan emrat, ndërkohë që administratoret ishin në masë arresti në burg kompanitë vazhdonin të fitonin tendera. Madje jo vetëm me institucionet me bashkitë por edhe me kryeministrinë apo me shërbimin informativ”, thotë Aranita Brahja, Drejtuese e Open Data Albania.

Albcontrol, kompania shtetërore që menaxhon dhe kontrollon hapësirën ajrore të Shqipërisë, thyen rekordin për fryrjen e fondeve të tenderave. Kështu, ky institucion, alokoi një tender rreth 500 mijë euro për ti mësuar gjuhën angleze, 10 punonjësve të saj. Duket qartazi, që një kurs anglishtje i tillë, nuk kushton as në Harvard apo Oksford.

Ndërkohë në muajin nëntor të vitit 2019, Albcontrol hapi një tender me vlerë rreth 400 mijë euro, për kontrollin mjekësor të punonjësve të saj, që njihet ndryshe si Check Up. Edhe ky ishte një tender tejet abuziv, për dy arsye. E para punonjësit e Albcontrol janë zyrtarë shtetëror dhe për pasojë nuk mund të trajtohen ndryshe nga administrata shtetërore.

E dyta, shërbimin e Check e ofron një koncesion i qeverisë, i miratuar në vitin 2015, dhe ku mund të përfitojnë falas shërbimin në çdo qendër shëndetësore. Dhe e treta, shifra e tenderit prej 400 mijë euro për 332 punonjës që ka Albcontrol, është tepër e fryrë. Nëse e përpjestojmë këtë shifër, i bie që çdo punonjës i Albcontrol do të paguajë rreth 1200 euro për një kontroll mjekësor.

Tendera të çuditshëm e njëkohësisht të dyshimtë, janë me qindra. Kjo ka bërë që edhe qytetrët të humbasin besimin tek shërbimet dhe investimet publike, për shkak të shpërdorimit të fondeve publike.

“Krijohet një mosbesim shumë i fortë mes publikut dhe shtetit. Nëse ti vëren se këtu bëhen tendera korruptim që nuk na shërbejnë ne, por shkojnë për të majmur tre katër njerëz, apo një grup politikanësh dhe burokratësh.

Nuk e kuptoj pse unë duhet të paguaj taksat në shtet. Unë jam më i prirur të jem informal, dhe siç thotë populli t’ja fus shtetit, sepse është një shtet tek i cili nuk kam besim. Pra ia tenderi nuk është një lek që thjesht po vidhet tani, efektet e tij janë shumë më të mëdha”, tregon Koloreto Cukali.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërNjë tjetër kryebashkiak i Ramës me të kaluar kriminale, i dënuar në Greqi! PD: Prokuroria të verifikojë menjëherë